Aktorja Monika Lubonja ka reaguar publikisht pas publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime me kompozitorin Adi Hila, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni apo dhënë pëlqimin për filmimin, regjistrimin apo publikimin e tyre.
Në një reagim të gjatë, Lubonja shprehet se ndihet e lënduar nga cenimi i privatësisë dhe besimit të saj, ndërsa kërkon ndalimin e asaj që e cilëson si “baltosje” në emër të një “morali kolektiv”.
“Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhenë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”.
Lubonja u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo spekulojnë me materiale intime, ndërsa opinionit publik i kërkon të mos e shndërrojë situatën e saj personale në objekt argëtimi apo gjykimi.
“Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”.
Ajo bën të ditur se i është drejtuar drejtësisë dhe se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund.
“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do flasë”, shprehet Lubonja.
Aktorja thotë se shpreson që kjo përvojë të mos e mbushë me urrejtje dhe shpreh besimin se drejtësia do të bëjë punën e saj.















































