Pep Guardiola kërkon Jamal Musialën tek Manchester City. Pesë-herë fituesi i Premier League është vënë në gjurmët e yllit bavarez, siç raporton Sport Bild. Jamal Musiala po e tregon vlerën e tij gjithnjë e më shumë në këtë edicion futbollistik dhe jo më kot forma e tij e shkëlqyer ka bërë jehonë edhe jashtë Gjermanisë.
Bayern Munchen e konsideron shumë të rëndësishëm mesfushorin e avancuar dhe kërkon me çdo kusht ta bindë që të rinovojë një kontratë të re afatgjatë.
Por, Jamal Musiala po pret dhe po shqyrton kërkesat drejt tij, për të marrë një vendim më të sigurt rreth së ardhmes. Paga aktuale që përfiton në vit prej 8 milionë eurosh në “Allianz Arena”, nuk shihet aspak si problem për Manchester City.
Pep Guardiola po përpiqet që të rindërtojë skuadrën e tij, me emra të rinj dhe lojtarë me shumë potencial. Largimi i Ilkay Gundogan këtë verë u shoqërua me afrimin e Matheus Nunes, tjetër lojtar që premton shumë për të ardhmen. Në verën e ardhshme, pa dyshim që do të ketë diskutime rreth largimit të Kevin de Bruyne dhe Jamal Musiala do të ishte pasuesi ideal i belgut në “Etihad Stadium”.