FSK merr mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në NATO

0
89

Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kenë gjithmonë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO si dhe ofrimin e sigurisë e stabilitetit në vend. Kështu u tha në konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”, në të cilën u lavdërua arritja e FSK-së ndër vite.

“Gjatë këtij rrugëtimit të ndërlikuar, asnjëherë nuk kemi qenë të vetëm, partnerët tanë ndërkombëtarë kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin, modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve tona, për këtë falënderimet tona shkojnë jo vetëm për ndihëm materiale, po  edhe për përkushtimin e treguar për stabilitet në rajon. FSK qëndron e fortë dhe e gatshme për të përmbushur misionin si garantues për paqe ndërkombëtare”, tha Shemsi Syla, zv/ministër i Mbrojtjes.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari tha se mbështetja e miqve është thelbësore për zhvillimin e forcave, e cila është shndërruar në storie suksesi.

“Unë si komandant vazhdimisht jam koordinuar me partnerët tonë që të shtyjmë përpara projektet tona të mëdha pasi që kjo është thelbësore për udhëtimin tonë përpara. Kam theksuar vazhdimisht që ne trajnohemi, stërvitemi, bashkëzbarkojmë vetëm me shtetet e NATO-s dhe kjo është tregues i seriozitetit tonë për fokusin tonë strategjik për anëtarësim në aleancën më të rëndësishme aleate në botë”, tha Jashari.

Ndërkaq, Christian Nawrat, gjeneral i zyrës ndërlidhëse dhe këshilluese të NATO-s në Kosovë tha se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, mbarë rajonin, veçanërisht në sfondin e tensioneve për të cilat të gjithë jemi të vetëdijshëm.

“NALT është një nga shtyllat e NATO-s për këtë mbështetje siç udhëzohet nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, puna jonë ndihmon strukturën civile që mbikëqyr FSK në zhvillimin e politikave të nevojshme”, tha ai.

Edhe ambasadorët përsëritën mbështetjen ndaj FSK-së në të gjitha fushat.

“Përkushtimi ynë në Kosovë mbetet i fuqishëm edhe sot duke pas parasysh që trupat italiane përfaqësojnë kontingjentin më të madh në Kosovë me mbi 1600 trupa në misionin e KFOR-it me ekspert të ofrojnë praktikat më të mira që ndihmojnë për të zgjeruara kapacitetet e Kosovës”, tha Antonello De Riu, ambasador i Italisë në Kosovë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili tha se Turqia mendon se mbajtja e sigurisë në Kosovë është kritike në mënyrë që të mbahet stabiliteti brenda për brenda regjionit.

“NATO  përmes KFOR dhe përmes bashkëpunimit bilateral kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme për një ambient shumë të sigurt dhe Turqia ka kënaqësinë që të ofrojë mbështetje përmes komandantit të KFOR-it”, tha ambasadori turk.

Jonathan Hargreaves, ambasador i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë tha se vendi i tij është shumë i lumtur dhe i kënaqur me progresin e FSK-së, për të siguruar që FSK është profesionale, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse.

“Jemi shumë të kënaqur me rolin tonë këtu, është shumë e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe jemi shumë të kënaqur që mund të vazhdojmë me kontributin tonë në punën e NALT dhe në ministri të Mbrojtjes”, tha Hargreaves.

Në konferencën e cila mbahet në tetor të çdo viti, para të pranishmëve u prezantua puna e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here