I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në disa intervista ka shprehur hapur kritikat e tij ndaj palës kosovare në procesin e dialogut me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.
Escobar bëri thirrje që Kosova të jetë më konstruktive në dialog dhe kryeministri i saj, Albin Kurti, të ketë qasje më pragmatike dhe realiste në raport me Bashkimin Evropian.
Emisari amerikan në intervistën që u publikua mbrëmë në mediumin serb ‘The Pavlovic today’, pati një mesazh të shkurtër, por të qartë për Kurtin.
“Të lutem, mos humb kohë”, tha Escobar.
Ndryshe, Escobar tha për REL-in se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.”, tha Escobar.
Esobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”.
Kurti ende nuk ka treguar se cili do të jetë hapi i tij i radhës në dialogun me Serbinë.
Krejt çka ka bërë, është se ka dalë në një konferencë për media dhe ka deklaruar se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.
Ndërsa, pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.