Shahin Bush është paraqitur sot në Stacionin Policor në Prizren dhe aktualisht po intervistohet nga autoritetet kompetente, mëson Gazeta e Prizrenit nga burime zyrtare të Policisë.
Sipas të njëjtave burime, Bush është paraqitur vullnetarisht rreth orës 14:00.
“Është paraqitur vetë dhe po intervistohet. Megjithatë, rasti është në kompetencë të Prokurorisë Speciale,” ka thënë një burim i besueshëm zyrtar i Policisë për Gazetën e Prizrenit.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta e Prizrenit, gjatë intervistimit ai ka deklaruar se pretendimet e ngritura publikisht nuk kanë të bëjnë me të dhe ka mohuar çdo përfshirje në veprimet për të cilat është përmendur.
Zhvillimi vjen një ditë pasi arkivisti i luftës, Esat Shala, në një emision në Klan Kosova, ngriti pretendime se një person i komunitetit turk me mbiemrin Bush, sipas tij, kishte qenë pjesë e grupeve paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe Krushën e Vogël.
Në emision, Shala publikoi edhe pamje video dhe deklaroi se personi i përmendur, për të cilin pretendoi se ka familjarë në pushtet, vazhdon të lëvizë i lirë.
Gazeta e Prizrenit thekson se pretendimet e bëra publikisht nga Esat Shala nuk janë konfirmuar nga organet e drejtësisë dhe se intervistimi i një personi nuk nënkupton fajësi apo ngritje të akuzës. Hetimet dhe çdo veprim i mëtejshëm janë në kompetencë të institucioneve përkatëse.
Emisioni në KK















































