E fshehën drogën në kamionetën e një qytetari pa dijeninë e tij – arrestohen dy të rinj në Prizren

0
91

Detaje interesante janë zbuluar në një operacion antidrogë të zhvilluar në Prizren, ku dy të rinj dyshohet se kishin fshehur narkotikë në karrocerinë e një kamionete, pa dijeninë e pronarit të automjetit.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Dion Balibasha dhe Rinor Braha, të cilët dyshohet se më 24 maj, rreth orës 23:45, kishin fshehur substancën narkotike me qëllim shitjeje në një kamionetë të parkuar në rrugën “Salih Shabani” në Prizren.

Sipas hetimeve fillestare, pronari i automjetit nuk kishte asnjë dijeni për narkotikët e fshehur në karroceri.

Të nesërmen në mëngjes, sapo kamioneta ka nisur lëvizjen dhe ka arritur në rrugën “Ismet Gashi”, qesja me narkotikë dyshohet se ka rënë në rrugë, duke ngritur dyshimet që më pas çuan te identifikimi i autorëve.

Pas identifikimit të tyre, me urdhër të prokurorit kujdestar dhe autorizim verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia ka realizuar bastisje në dy shtëpi dhe një veturë në Prizren.

Megjithatë, gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë substancë tjetër e dyshuar.

Policia ka sekuestruar dy telefona mobilë dhe një veturë si prova materiale, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia antidrogë në Prizren./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here