Dua Lipa rikthehet në studio pas dasmës, Callum Turner shijon mbrëmjen me një mik

0
36

Dua Lipa është rikthyer menjëherë në angazhimet profesionale pas festimeve disaditore të dasmës në Sicili dhe muajit të mjaltit në Itali me bashkëshortin e saj, aktorin Callum Turner.

Këngëtarja 30-vjeçare u fotografua të martën duke dalë nga studioja e famshme “Electric Lady” në Nju Jork, ndërsa tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj plot stil.

Artistja shqiptare kishte veshur një xhaketë të kuqe nga Ralph Lauren, të kombinuar me një këmishë dhe bluzë të bardhë, si dhe xhinse në ngjyrë të çelët. Pamjen e kompletoi me një shami të kuqe në kokë, syze të zeza dhe çizme të trasha.

Dua dukej në humor të mirë dhe nuk ngurroi t’i përshëndeste fansat që po e prisnin jashtë studios, përpara se të vazhdonte drejt destinacionit të radhës.

Në të njëjtën kohë, bashkëshorti i saj, Callum Turner, u pa duke darkuar me një mik në restorantin “Cafe Cluny”. Aktori 36-vjeçar kishte zgjedhur një paraqitje të thjeshtë, me një bluzë regbi me vija të verdha dhe blu, të kombinuar me xhinse.

Daljet e tyre erdhën vetëm një ditë pasi Dua publikoi në Instagram një album fotografish nga finalja e Kupës së Botës, të cilën e ndoqi së bashku me Callumin.

Për këtë ngjarje të mbushur me personazhe të njohura, këngëtarja kishte zgjedhur një bluzë të bardhë sateni me shpinë të hapur, xhinse dhe vathë të mëdhenj rrethorë. Pamjes i kishte shtuar edhe një kapele me simbolin e Kupës së Botës.

Të porsamartuarit dukeshin më të lumtur se kurrë në stadiumin “MetLife”, ku Callum e mbante Duan të përqafuar teksa pozonin së bashku. Në ndeshje ishin të pranishëm edhe vëllai i saj, Gjini, dhe babai, Dukagjin Lipa.

Spanja u shpall kampione e botës pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 pas vazhdimeve. Golin vendimtar e realizoi Ferran Torres në minutën e 106-të, duke i siguruar Spanjës titullin e dytë në historinë e saj.

Muaj mjalti mes luksit dhe romantikës

Pas mbërritjes në Nju Jork javën e kaluar, Dua e përshkroi muajin e mjaltit me Callumin si “parajsë mbi tokë”, ndërsa ndau me ndjekësit një seri fotografish nga pushimet e tyre në Itali.

Në njërën prej tyre, këngëtarja shfaqej duke pushuar në vaskën me shkumë të hotelit “La Posta Vecchia”, një vilë e Rilindjes pranë Romës, e cila dikur ishte rezidenca bregdetare e biznesmenit J. Paul Getty.

Çifti qëndroi në suitën e famshme “Getty”, me pamje nga Deti Tirren. Në një tjetër fotografi, Dua tregonte unazën e martesës teksa luante letra me bashkëshortin dhe shijonte rrezet e diellit në një jaht. Edhe Callum pozoi me unazën e tij prej ari gjatë një darke romantike në perëndim të diellit.

Në një tjetër imazh, këngëtarja shfaqej duke mbështetur klubin italian SSC Napoli, me fanellën e skuadrës të kombinuar me bikini.

Gjatë muajit të mjaltit, çifti vizitoi Bregdetin e Amalfit, Romën, Napolin dhe Taorminën. Në kryeqytetin italian ata u panë mes turistëve pranë Shatërvanit të Trevit, ndërsa në Taorminë qëndruan në hotelin “San Domenico Palace”, i bërë i famshëm nga seriali “The White Lotus 2”.

Dasmë madhështore në Sicili

Tri ditë pasi zyrtarizuan martesën në bashkinë “Old Marylebone Town Hall” në Londër, Dua dhe Callum udhëtuan drejt Sicilisë, ku organizuan një festë treditore në Palermo.

Ceremonia u zhvillua në vilën historike “Villa Valguarnera”, ku u mbajt edhe një bekim për çiftin. Dua dhe Callum u njohën në janar të vitit 2024, gjatë një feste në Los Anxhelos, ku zbuluan se po lexonin të njëjtin roman, “Trust” të Hernan Diazit.

Në dasmë performoi miku i afërt i Duas, Sir Elton John, i cili interpretoi këngën e famshme “Your Song”. Mes të ftuarve ishin gjithashtu këngëtarja Charli XCX dhe ikona e modës Donatella Versace.

Për ceremoninë, Dua veshi një fustan të personalizuar “haute couture” nga Chanel, të krijuar nga stilisti Matthieu Blazy. Fustani me shpinë të hapur ishte zbukuruar me mijëra rruaza të bardha dhe të argjendta, ndërsa bishti i gjatë përmbante rreth 25 mijë pupla.

Këngëtarja mbante gjithashtu një vello të gjatë, për qëndisjen e së cilës raportohet se u deshën 3.220 orë pune. Callum, ndërkohë, u shfaq elegant me një kostum të personalizuar nga Louis Vuitton.

Një natë më parë, çifti kishte organizuar një koktej në “Galleria Moderna”, ku Dua veshi një fustan të krijuar posaçërisht për të nga Bottega Veneta, të shoqëruar me një çantë të së njëjtës markë.

Duan drejt altarit e shoqëroi babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili është gjithashtu menaxheri i këngëtares. Një rol të veçantë në ceremoni pati edhe nëna e Callumit, Rose Turner.

Çifti planifikon zhvendosjen në SHBA

Burime pranë çiftit kanë treguar se Dua dhe Callum dëshirojnë të krijojnë familje në të ardhmen e afërt.

“Ata janë shumë të dashuruar, duan të qëndrojnë përgjithmonë së bashku dhe dëshirojnë të bëhen prindër. Të dy janë shumë të lidhur me familjen”, deklaroi një mik i tyre për “Daily Mail”.

Raportohet gjithashtu se çifti po planifikon të zhvendoset për shtatë muaj në Shtetet e Bashkuara, për shkak të dy projekteve të njëpasnjëshme filmike të Callumit.

Aktori pritet të luajë përkrah Margaret Qualley-t në versionin e ri të filmit horror të vitit 1981, “Possession”. Më pas, ai do të angazhohet në filmin me tematikë bejsbolli “The Comebacker”, ku Tom Hanks do të interpretojë trajnerin e tij.

“Ne kemi profesione që na detyrojnë të udhëtojmë nëpër botë. Kur jemi në shtëpi, në Londër, është e rëndësishme të kalojmë sa më shumë kohë me miqtë tanë. Gjithmonë kujdesemi që të jemi bashkë”, është shprehur Callum Turner. /GazetaExpress/  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here