Artem Dovbyk ishte padyshim një nga surprizat më të bukura të La Ligës në sezonin që lamë pas, duke udhëhequr Gironën drejt një vendi të tretë historik me golat e tij të shumtë. Sulmuesi 26-vjeçar ukrainas tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve, përfshi edhe Napolin e Milanin në Itali, por duket se ka vendosur të vijojë karrierën sërish në Spanjë.
Media iberike bën me dije se Dovbyk ka arritur marrëveshjen personale me Atleticon e Madridit, për të firmosur me Los Colchoneros një kontratë 5-vjeçare, teksa tashmë topi kalon te klubi i Simeones për të mbyllur marrëveshjen.
Dovbyk ka një klauzolë prej 40 milionë eurosh për prishjen e kontratës me Gironën dhe pas miratimit të tij, tashëm Atletico Madrid duhet të kalojë paratë në arkat e klubit katalan, për të transferuar në kryeqytet sulmuesin ukrainas.
Pas zgjidhjes së çështjes së të ardhmes, tashmë Dovbyk është përqendruar te Europiani Gjermani 2024, ku pritet të udhëheqë me golat e tij Ukrainën drejt një paraqitjeje dinjitoze./SS