Dimri Kulturor në Prizren në errësirë totale (FOTO)

0
769

Edhe këtë fundvit, Komuna e Prizrenit ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturore për qytetarët e vendit dhe turistët.

Njëri prej aktiviteteve është edhe vendosja e shtëpizave të drurit në sheshin “Lidhja”. Këto shtëpiza parashikohet të jenë deri më 8 janar, ku operatorët fitues janë të obliguar që të punojnë nga ora 12:00 – 24:00.

Por, siç duket Dimri Kulturor po përcillet me probleme dhe vështirësi, krejt kjo për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Bizneset që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj feste, kanë filluar të ankohen se mungesa e energjisë elektrike është duke i shkaktuar dëme të mëdha.

Nga ana tjetër, Dafina Alishani, Asambleiste e LVV-së, këtë që po ndodh në sheshin e Lidhjes, e ka quajtur neglizhencë të papranueshme nga qeverisja lokale.

“Një gjë që mendoj që është mëse e duhur dhe me prioritet, komuna e Prizrenit urgjentisht duhet të bëjë zgjidhje për problemin e rrymës dhe ndriqimit tek shtëpizat në shesh.
Është e papranueshme kjo neglizhencë.
Jeni thirrur për menaxhim efikas, për lidership dhe për eksperiencë në menaxhim e qe besa edhe në komunikim me publikun, urdhëroni dhe dëshmoni aftësitë menaxheriale duke komunikuar qoftë me KEDS’in qoftë me kompanitë përgjegjëse të cilët mund ta gjejnë një zgjidhje për këtë shesh tash më disa ditë të errët”, ka thënë Alishani.

Por, nuk ka vonuar as përgjigjja nga ana e Komunës së Prizrenit, me ç’rast zëdhënësja Jona Hoxhaj, i ka komentuar Alishanit, duke bërë me dije se vazhdimisht janë në komunikim me organet përkatëse për ta rregulluar problemin.

“Nuk jemi në pushim, jemi duke punuar, poashtu vazhdimisht jemi në komunikim me organet përkatëse për ta rregulluar problemin!
I cili do rregullohet!
Pasi që bëhet dëmi nuk është shumë e lehtë zgjidhja”, ka thënë Hoxhaj.

Me gjithë reagimet dhe kundër reagimet, 04 Online ju sjell fotografi nga vendi i ngjarjes të cilat dëshmojnë se edhe sonte nuk ka energji elektrike në sheshin e Lidhjes./04 Online

Leave a Reply