Dallimet për dinarin me SHBA-në, Konjufca: Ata e shohin në kontekst global, ne në perspektivë më të ngushtë

0
122

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për t’u shqetësuar.

Madje sipas tij, nuk ka nevojë të bëhet panik për këtë çështje, pasi sipas Konjufcës, vërejtjet e SHBA-ve nuk kanë të bëjnë me legalitetin e veprimeve të Qeverisë.

Kjo sepse sipas tij në SHBA e shohin Kosovën nivel shumë më të lartë se sa që e shohim ne. “E shohin në rajon, e shohin edhe në Evropë e shohin edhe në kontekstin e përgjithshëm global”

“Unë mendoj që nuk janë raporte për t’u shqetësuar, për të bërë panik. Unë mendoj që raportet janë përtej këtyre ndryshimit në perceptim që e kemi se si të veprohet në pjesën e veriut të Kosovës. E mirëkuptojmë plotësisht atë vërejtje edhe kritikat qe na japin SHBA, këto janë gjithmonë kritika me vend sepse ne SHBA e shohin Kosovën nivel shumë më të lartë se sa që e shohim ne, e shohin në rajon, e shohin edhe në Evropë e shohin edhe në kontekstin e përgjithshëm global, qysh e shohim ne është e drejta e shtetit të Kosovës me shtri sundimin e ligjit dhe sovranitetin e vet, kjo është perspektivë më e ulët më e ngushtë por është perspektivë e të drejtës së Kosovës për me i krye punët e veta”, tha Konjufca.

“Unë mendoj që këto vështirësitë e Kosovës ndonjëherë me SHBA nuk janë risi, domethënë kemi pasur gjatë veprimtarisë sonë politike edhe disa shpërputhje, gjithsesi se si e perceptojnë atë që është e domosdoshme për Kosovën që të ecet përpara pra në cilën drejtim të ecet përpara”, tha Konjufca për EO.

“Kjo që e ka marr pra qeveria e Kosovës strategjinë, është një strategji e sovranitetit të Kosovës, kurse SHBA këtë proces e shohin shumë më shumë prej perspektives së sigurisë, domethënë ata frikësohen se Serbia mund të kundër reagojë dhe kjo e qet situatën prej kontrollit, ky është perceptimi i SHBA-së kështu ka qenë gjithmonë”, tha tutje Konjufca.

Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

Në linjë me këtë deklaratë të O’Brien, foli të enjten edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili i është përgjigjur Qeverisë Kurti të cilët deklaruan se nuk ka rrezik për krisje të partneritetit me ShBA-në.

Hovenier theksoi sërish se kjo situatë ka prekur partneritetin e ShBA-së me Kosovën, duke përgënjeshtruar kështu Kurtin dhe vartësit e tij në Qeveri, që pas intervistës së bujshme të O’Brien.

Leave a Reply