Cristiano Ronaldo mund të ribashkohet me Sporting Lisbonën, klubin ku nisi karrierën e tij legjendare mbi dy dekada më parë, shkruan 04 Online.
Sipas raportimeve, ylli portugez po e shqyrton seriozisht rikthimin në klubin e fëmijërisë, si një hap sentimental dhe strategjik për të qëndruar në nivelet më të larta të futbollit përpara Kupës së Botës 2026, që pritet të jetë turneu i tij i fundit me kombëtaren.
Rikthimi në Europë e tundon Ronaldon, dhe Sporting duket destinacioni ideal, sidomos nëse sulmuesi aktual Viktor Gyökeres largohet gjatë verës. Në këtë skenar, Ronaldo shihet si zëvendësuesi perfekt dhe lideri i ri i ofensivës.
Në moshën 40-vjeçare, Cristiano vazhdon të shkëlqejë me Al Nassr në Arabinë Saudite, por një përmbyllje e karrierës atje ku gjithçka nisi mund të jetë skena perfekte për kapitullin e fundit.
Sporting e pret me krahë hapur – jo vetëm për përforcim sportiv, por edhe për impaktin që ai do të sillte në skenën mediatike dhe ndërkombëtare./04 Online