Çfarë do të thotë kur dëshiron të qëndrosh në shtëpi

0
206

Zgjedhja për të qëndruar në shtëpi në vend që të dalësh me miqtë mund të duket si diçka e zakonshme dhe shpesh është e tillë. Por, sipas psikologjisë, kjo sjellje mund të mbajë brenda vetes sinjale më të thella për gjendjen emocionale dhe mendore të një personi.

Sipas një artikulli të publikuar në faqen ‘losandes.com.ar’, qëndrimi në shtëpi, larg shoqërisë, mund të jetë një nevojë për pushim, pjesë e një procesi personal, ose shenjë e diçkaje më serioze.

Vetmia e zgjedhur – kur është normale dhe e shëndetshme

Shpesh, njerëzit përjetojnë periudha kur u duhet të tërhiqen pak nga jeta sociale. Kjo mund të ndodhë pas një ndryshimi të madh në jetë si ndërrimi i punës, zhvendosja në një vend të ri, ose thjesht si pjesë e një reflektimi personal.

Psikologët theksojnë se këto periudha janë të zakonshme dhe ndonjëherë të nevojshme.

“Të gjithë kalojmë momente kur na duhet të reflektojmë, të kuptojmë çfarë duam në të vërtetë, të kalojmë kohë me veten për t’u qartësuar,” thuhet në artikull.

Kur vetmia fsheh diçka më të thellë

Megjithatë, vetmia nuk është gjithmonë një zgjedhje e shëndetshme. Dëshira për t’u izoluar mund të jetë mënyra e mendjes për t’u larguar nga ndjenjat e vështira si stresi, trishtimi ose mungesa e motivimit. Psikologët paralajmërojnë se një shkëputje e papritur nga rrethi social, pa ndonjë arsye të qartë, mund të jetë një simptomë e depresionit të fshehtë.

Ndryshimi i prioriteteve dhe distancimi natyral

Ka edhe raste kur arsyeja për qëndrimin në shtëpi është më e thjeshtë, ‘nuk ndihesh më mirë me shoqërinë që ke pasur’.

Prioritetet ndryshojnë dhe ndonjëherë, dëshira për të mos dalë nuk lidhet me vetminë, por me faktin që nuk ndihesh më në sintoni me njerëzit e një rrethi të caktuar.

“Njerëzit që kërkojnë kuptim në marrëdhëniet e tyre natyrisht mund të largohen nga grupet ku dominon argëtimi sipërfaqësor,” theksojnë ekspertët.

Rrjetet sociale dhe vetmia e re

Në ditët e sotme, teknologjia dhe rrjetet sociale luajnë një rol të madh në mënyrën si përjetojmë vetminë. Edhe pse krijojnë iluzionin e shoqërisë dhe komunikimit, ato shpesh nuk e zëvendësojnë kontaktin real. Njerëzit ndihen sikur janë të lidhur, por realisht janë të izoluar.

Psikologjia konjitive ka treguar se sa më shumë kohë kalon dikush në internet, aq më pak ndjen nevojë për ndërveprim fizik, sepse truri mësohet me këtë formë të re të komunikimit.

A është kjo në rregull? Varet nga arsyeja

Psikologët bien dakord në një pikë: nuk ka përgjigje të saktë për të gjithë. Vetmia mund të jetë një mënyrë e shëndetshme për të rigjetur balancën e brendshme, por vetëm nëse është e vetëdijshme dhe e zgjedhur.

Nëse qëndrimi në shtëpi kthehet në burim shqetësimi, trishtimi apo boshllëku, atëherë është sinjal që duhet të kërkohet ndihmë nga psikologët.

Në fund të ditës, njohja e vetes dhe reflektimi i sinqertë janë hapat e parë drejt mirëqenies së brendshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here