Çdo fis e ka së paku një pis, por në rastet kur fisi e mbron pisin, atëherë a dallon fisi nga pisi?!

0
44729

Një nga përvojat zhgënjyese, si pasojë e mentalitetit primitiv e idiotesk.

Nga përfundimi i luftës kishim dalur të vrarë e të shkatërruar si është më së keqi.
Serbët lokal, të ndihmuar nga forcat policore dhe ushatrake serbe, kishin dashur pothuajse të na zhduknin tërësisht nga faqja e dheut. Fakti që 113 civilë shqiptarë të Krushës së Vogël ishin vrarë nga serbët, fliste më së miri për ndjenjat dhe gjendjen tonë. Pas asaj që kishin bërë serbët, as që mund të merrej me mend, e lëre më të ndodhte, ndonjë vizitë eventuale e ndonjë serbi në këtë fshat të shkretuar. Edhe pse pëshpëritej se në Krushë të Vogël, herë pas here kishte vizita të serbëve dhe se edhe disa familjarë të të vrarëve po bënin allash veresh me serbë, megjithatë këtë nuk e besonim por e konsideronim si pjellë e fantazisë. Megjithatë me kalimin e kohës, ky opinion filloi të relativizohej.

Disa vite pas lufte, dy serbë me automjete, në vend që të shkonin në fabrikën e pijeve alkoolike “Kosova Vera”, ata e kishin gabuar rrugën dhe ishin gjendur në mes të fshatit. Kur rastësisht ata i kishte hasur një shqiptar, ata me shpejtësi të madhe ishin larguar nga fshati. Prezenca fizike e tyre më në fund e vërtetoi dyshimin se vërtetë kishte shqiptarë të Krushës së Vogël që po i sillnin serbët në këtë fshat, përndryshe ata me asnjë çmim nuk do të guxonin të vinin. Jo rastësisht thotë populli se, “qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”. Për të vërtetuar ato që fliteshin, personit që serbët i kishin vrarë të atin, tre vëllezërit, axhallarët, bijtë e axhallarëve, kusherinjët etj, prej “dhimbjes” së madhe për këto vrasje, në fabrikën e pijeve alkoolike “Kosova Vera” në Krushë të Vogël, hapur kishte sjellur jo vetëm serbë të zakonshëm, por madje edhe të tillë të cilët dyshoheshin se ishin zyrtarë të sigurimit shtetëror serb, e të cilët ishin maskuar si tregtarë të pijeve alkoolike. Drejtori i fabrikës në fjalë, një intelektual e njeri mjaft i ndershëm, i gjendur para një sprove të papritur, me të kuptuar se kush janë, jo vetëm që nuk kishte bërë tregti me ta, por menjëherë i kishte përzënë të gjithë nga fabrika.

Nuk mund tu besoja syve të mi që një shqiptar i këti fshati, të cilët serbët i kishin vrarë aq shumë nga familja e tij e ngushtë dhe e gjerë, të sillte serbë në vendin e krimit-thoshte i tronditur drejtori i fabrikës.
Të tilla krijesa pa tipare e ndjenja njerëzore në vend që të izolohen e diskreditohen, fal mentalitetit primitiv ata, në emër të lidhjes familjare, merren në mbrojtje, e kjo i motivon të tillët të mos e ndërpresin bashkëpunimin me serbë. Ishte interesant fakti se për rastin në fjalë, nuk sulmohej ajo krijesë e cila kishte sjellur serbë në vendin më të dëmtuar në Kosovë, por ata të cilët e kishin denoncuar atë për bashkëpunim dhe sjellje të serbëve!!!

Nëse nje person jo vetëm që nuk ka asnjë dhimbje ndaj të vrarëve shqiptarë por duke bashkëpunuar me serbë madje i ofendon ata për së vdekuri, atëherë çfarë vetëdije kanë të tjerët, të cilët në emër të afërsisë familjare, nuk distancohen nga veprimet e krijesave të tilla?
Të tilla krijesa të çoroditura gjithmonë do të ekzistojn, por e çuditshme është heshtja apo solidarizimi i të tjerëve me të, pavarësisht që u sjell të hunda racën e serbit!
A nuk jemi ne që në në emër të lidhjes së afërt apo të largët familjare, bëhemi sponsorizues i vazhdueshëm i aktivitetit të krijesave të tilla?
A nuk jemi ne që mes gënjeshtrës së familjarit tonë dhe të vërtetës së dikujt tjetër, ne zgjedhim familjarin sepse të edukuar në frymën e primitivizmit patriarkal, ne pranojm të jetojm me gënjeshtrën.
Për fat të keq, familja, si celulë e shoqërisë, në masë të madhe ka shërbyer si kultivuese e të keqës, sepse mu aty merren mësimet e para, mu aty jepen këshillat e para në stilin: – mos e jep tëndin për të “huajin”, edhe atëherë kur i yti ti shëtit para hundëve serbët, të cilët në mënyrën më mizore të kanë ekzekutuar anëtarët e familjes.

Nga ajo masë e madhe shqiptarësh që u vranë, shumë prej tyre ishin të plagosur dhe kur serbët i futën flakën shtëpisë, ata dhanë shpirt duke u djegur. Atëherë cila është ajo arësye të mbroshë krijesa të tilla, të cilat të sjellin racën e serbit, mu në fshatin kur janë kryer tmerre të tilla??
Si thonë, nuk ka fis që nuk e ka së paku një pis, mirpo në rastet kur fisi e mbron pisin, atëherë a dallon fisi nga pisi?!

Shkruan: Agron LIMANI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply