Shqipëria në mesin e destinacioneve më të preferuara për pushime nga zviceranët këtë verë

0
56

Blick: Rajoni i Ballkanit po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për pushime nga turistët zviceranë.

Rajoni i Ballkanit po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për pushime nga turistët zviceranë. Sipas operatorëve turistikë, gjithnjë e më shumë qytetarë të Zvicrës po zgjedhin vende si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Bullgaria për pushimet verore të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat e kompanisë turistike Dertour tregojnë se numri i udhëtarëve drejt Shqipërisë dhe Kroacisë është rritur me rreth 50 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në Mal të Zi dhe Bullgari, ku rezervimet janë dyfishuar.

Operatorët turistikë e përshkruajnë Ballkanin si një alternativë më të lirë dhe më autentike krahasuar me destinacionet tradicionale mesdhetare si Italia, Franca apo Spanja. Përveç çmimeve më të favorshme, turistët po tërhiqen edhe nga kombinimi i bregdetit, natyrës, qyteteve historike dhe kulturës lokale.

Ekspertët e turizmit në Zvicër thonë se rajoni shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion “aventurë”, ende jo i mbingarkuar nga turizmi masiv, ndërsa lidhjet ajrore të shtuara nga Cyrihu dhe Bazeli kanë ndikuar ndjeshëm në këtë trend.

Kompani ajrore si Chair dhe Wizzair kanë zgjeruar fluturimet drejt qyteteve të Ballkanit, me Wizzair që këtë vit ofron mbi 945 mijë ulëse drejt rajonit, 13 për qind më shumë se në vitin 2025.

Një pjesë e madhe e kërkesës vjen edhe nga diaspora ballkanike në Zvicër, e cila gjatë verës udhëton për të vizituar familjarët dhe vendlindjen./Blick

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here