BQK: Kalon me sukses periudha transitore e rregullores, këto janë efektet

0
152

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka raportuar për aktivitete të koordinuara për luftimin e monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro, gjatë fundit të vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024.

BQK, thotë se ka organizuar takime ndër-institucionale për këtë qëllim dhe ka zhvilluar aktivitete në përputhje me Planin për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

Në periudhën deri në prill 2024, BQK ka arritur disa rezultate të rëndësishme në luftën kundër parave të falsifikuara dhe zbatimin e masave të rregullores për operacione me para të gatshme:

– Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro;

– Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara;

– Është furnizuar ekonomia me afër 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar;

– Është furnizuar ekonomia me afër 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për ri-qarkullim ne shume prej 261.6 milionë euro;

– Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro;

– Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi);

– Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro;

– Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe

– 57 autorizime (kryesisht të valutave jo-euro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro.

Përveç kësaj, BQK shton se ka zbatuar Planin për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, duke realizuar aktivitete në të gjitha pikat e planit, si funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, dhe pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së.

Gjatë kësaj periudhe, BQK ka licencuar 8 degë/zyra të institucioneve financiare, ka vendosur 38 bankomatë/ATM, dhe ka kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese.

BQK ka theksuar se vazhdon të përqendrohet në zgjerimin e qasjes në financa, përfshirjen financiare, edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit. Kjo bankë pohon se ka inkurajuar qytetarët dhe bizneset të përdorin sa më shumë pagesat elektronike dhe të raportojnë çdo dyshim për monedha të falsifikuara tek autoritetet përgjegjëse. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here