Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se ka pasur një bisedë telefonike të gjatë, jo të lehtë, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, për situatën në Kosovë.
Vuçiq tha se Sekretari amerikan ka folur edhe për masa të mundshme ndaj Serbisë “nëse nuk sillemi siç duhet”.
“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi, është vendimi juaj të bëni atë që mendoni se duhet. Por unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi, dhe kjo është para së gjithash e vërteta. Ka disa gjëra për të cilat ne u pajtuam dhe disa gjëra për të cilat nuk u pajtuam. Ne ramë dakord se nevojitet de-përshkallëzimi, se nevojitet një rol dukshëm më i madh i KFOR-it dhe Serbia gjithmonë dhe me siguri do ta mbështesë atë. I kam mohuar si të pavërteta informacionet për shkallën e lartë të gatishmërisë luftarake të forcave tona”, u tha Vuçiq gazetarëve.
“Blinken më foli gjithashtu për disa masa. Unë thashë se jam kundër”, ka thënë Vuçiq ndër të tjera.
Vuçiq tha se nuk është pajtuar me Blinken edhe për natyrën e asaj që ka ndodhur në Kosovë.
Ndryshe, autoritetet në Kosovë kanë publikuara dëshmi të forta se mbrapa aktit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë është shteti i Serbisë.