Alarm i rremë në Spitalin e Prizrenit – objekti i dyshuar rezultoi lodër fëmijësh

0
157

Një alarm është ngritur dje pasdite në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, pasi mbi kulmin e stacionit të oksigjenit u vërejt një objekt që ngjante me granatë dore, shkruan 04 Online.

Policia dhe njësiti i deminimit i FSK-së reaguan menjëherë dhe pas verifikimit u konstatua se objekti ishte një lodër për fëmijë në formë granate dore.

“Dje, në orët e pasdites, ekipi kujdestar i mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka vërejtur një objekt me pamje të ngjashme me granatë dore, i vendosur mbi kulmin e stacionit të oksigjenit, në hapësirat e spitalit.

Për të garantuar sigurinë e stafit dhe pacientëve, menjëherë është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në vendin e ngjarjes.

Pas vlerësimit fillestar, Policia ka thirrur njësitin e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka ndërhyrë në mënyrë profesionale. Pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se objekti në fjalë ishte një “lodër për fëmijë- në formë granatë të dorës” dhe nuk paraqiste asnjë rrezik për sigurinë publike.

Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” shpreh mirënjohje të thellë për Policinë e Kosovës dhe ekipin e FSK-së për reagimin e menjëhershëm dhe ndërhyrjen profesionale.

Ftojmë qytetarët për qetësi dhe mirëkuptim, duke theksuar se situata është menaxhuar me kujdes dhe pa rrezik për stafin apo pacientët.”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Prizrenit./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here