Aktivistët në Prizren nxisin bashkëpunimin me akademinë për biodiversitetin dhe ndryshimet klimatike

0
59

Aktivistët e organizatës “EC Ma Ndryshe” kanë iniciuar bashkëpunimin me profesorët dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren lidhur me ruajtjen e biodiversitetit dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Sipas njoftimit të EC-it në kuadër të projektit “Ruajtja e Biodiversitetit dhe Adaptimi ndaj Ndryshimeve Klimatike” që mbështetet nga CDF me financim të Ambasadës së Suedisë, takimi mes dy palëve ka shërbyer për ti shkëmbyer idetë drejt përforcimit të angazhimeve për një mjedis të qëndrueshëm, raporton Telegrafi.

“Takimi kishte për qëllim prezantimin e aktiviteteve të projektit dhe nxitjen e bashkëpunimit për të forcuar përpjekjet drejt ruajtjes së mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”, thuhet në njoftimin e “EC Ma Ndryshe”, raporton Telegrafi.

Aty theksohet se në këtë kuadër, janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, përmes përfshirjes së studentëve në hulumtime dhe aktivitete të tjera praktike, të cilat kontribuojnë në ruajtjen e biodiversitetit.

Në të njëjtën kohë “EC Ma Ndryshe” ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë studentët në realizimin e iniciativave që nxisin ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

“Ky bashkëpunim synon t’i pajisë të rinjtë me përvoja praktike që forcojnë kapacitetet e tyre dhe kontribuojnë në qëllime afatgjata për mbrojtjen e mjedisit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here