Para 19 vjetësh rrjedha e lumit Ibër i mori jetën tre fëmijëve nga fshati Çabër i Mitrovicës. Ata u mbytën tragjikisht në lum duke ikur nga disa serbë që po i ndjekin dhe kjo u bë shkak që të eskalojë situata në ato që tash njihen si ‘trazirat e marsit’, raporton Gazeta Sinjali.
Egzon Deliu, Avni Veseli, dhe Florent Veseli u mbytën në lumin Ibër dhe kjo ngjalli reagime të ashpra tek qytetarët, të cilët më 17 mars nisën protestat thuajse në të gjithë Kosovën, që më pas eskaluan në dhunë.
Gjatë trazirave u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900, dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore.
Zhvillimet e marsit 2004 kishin bërë që vendet ndërkombëtare të rikthejnë sytë kah Kosova. Atëkohë, Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.
E pasojat nga moszbardhja e këtyre rasteve si shkatërrimi i objekteve fetare, Kosova ende e vuan gjatë antarësimit në organizata ndëkombëtare.Në vitin 2015, kur Kosova tentonte të anëtarësohej në UNESCO, Beogradi e kishte akuzuar Prishtinën se nuk ka mbrojtur trashëgiminë kulturore si duhet dhe ka bashkëpunuar në shkatërrimin e disa vendeve, përfshirë këtu edhe 29 kisha dhe manastire të shkatërruara në trazirat e marsit 2004, sipas një raporti të OSBE-së.