Vetë-menaxhimi i serbëve, sipas Planit franko-gjerman, është autonomi personale. Pra është një nga format e autonomisë. Krahas autonomisë territoriale (bashësia e komunave me shumicë serbe), autonomisë kulturore (arsimi dhe kultura të pavarura nga institucionet shtetërore të Kosovës), krahas autonomisë funksionale (statusi i Kishës Serbe), serbët e kanë fituar edhe autonominë personale. Me këtë lloj autonomie personale, secili serb do të jetë në mënyrë të veçantë i privilegjuar dhe i mbrojtur, vetëm për faktin se është serb. Ndonëse kufijtë e autonomisë personale nuk janë të kornizuar qartë, është e sigurt se me këtë lloj autonomie sigurohet një mbrojtje speciale e serbëve në raport me shtetin dhe me shumicën. Sipas Planit franko-gjerman, vetë-menaxhimi i serbëve si autonomi personale, vlen për të gjithë serbët, kudo që janë, pra edhe jashtë bashkësisë së komunave. Besoj se do të vlejë edhe për serbët jashtë Kosovës, si mundësi e kthimit të stimuluar me fonde e me investime të BE-së, të atyre që janë larguar nga Kosova.
E bashkuar me autonominë territoriale (Asociacionin) me autonominë kulturore (arsimin e kulturën) dhe me autonominë funksionale, (statusin e pavarur nga shteti të Kishës Ortodokse Serbe) autonomia personale i bën serbët të jenë në Kosovë me status më të lartë juridik e politik sesa të gjithë të tjerët dhe de fakto i bën vulëmbajtës të shtetit në Kosovë. Pra, me Planin franko-gjerman dhe me planin e zbatimit, serbët kanë fituar autonominë territoriale (me Asociacionin), autonominë kulturore (arsim e kulturë të lidhur direkt me Serbinë), autonominë funksionale (me Kishën në qendër) dhe autonominë personale me vetë-menaxhimin në qendër. Shkurt, oferta për serbët me planin franko-gjerman dhe me Marrëveshjen e Ohrit për serbët në Kosovë ka qenë: pranojini kufijtë e jashtëm të Kosovës, ne po ua japim juve në pengmarrje faktike këtë kuazishtet.
Shkruan: Milazim KRASNIQI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online