Sherri në parkun e Ortakollit përfundon me të shtëna – 32-vjeçari plagoset në dorë, tre persona ndalohen

0
38

Një përleshje e çastit në lagjen Ortakoll të Prizrenit ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe një person të plagosur, ndërsa tre persona janë ndaluar për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 3 tetor, rreth orës 22:00, në rrugën “Faik Konica”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bekim Mollakuqa po kalonte pranë parkut të lagjes së bashku me bashkëshorten e tij, kur ka pasur një mosmarrëveshje të çastit me Demokrat Morinën, lidhur me fjalorin që ky i fundit po përdorte në vend publik.

Situata më pas dyshohet se ka eskaluar, ndërsa Morina ka ekspozuar armën. Mollakuqa ka reaguar duke tentuar t’ia kapë armën dhe, gjatë përleshjes mes tyre, arma është shkrepur.

Si pasojë, Demokrat Morina është plagosur në dorën e majtë, konkretisht në dy gishta.

Në ndërkohë, Roland Mollakuqa, i cili ndodhej te fusha e sportit, ka vrapuar drejt vendit të ngjarjes për t’i dalë në ndihmë babait të tij dhe dyshohet se ka sulmuar Morinën.

Ky i fundit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa arma ka mbetur aty. Policia më pas ka arritur ta lokalizojë dhe atij i është dhënë ndihma e parë, para se të dërgohej për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetimore, ndërsa janë sekuestruar arma e përdorur në rast, një gëzhojë, një karikator dhe tetë fishekë.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Demokrat Morina, Bekim Mollakuqa dhe Roland Mollakuqa janë ndaluar për 48 orë.

Rasti po trajtohet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas të dhënave fillestare, motivi i incidentit ka qenë një mosmarrëveshje e momentit./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.