Suhareka kërkon kompani private për punën që mund ta bëjnë institucionet

0
197

Komuna e Suharekës ka hapur tender për të angazhuar një kompani që do të ofrojë ekspertizë për vlerësim të shpejtë gjashtëmujor të shkollave. Tenderi ka përfunduar në OSHP.

Dy ligje që rregullojnë fushën e arsimit të ulët, përcaktojnë se këto lloj vlerësimesh janë në përgjegjësinë e inspektorëve të arsimit, drejtorive komunale e drejtorëve të shkollaveKomuna e Suharekës synon të angazhojë ekspertë të jashtëm për t’i vlerësuar institucionet në arsimin parauniversitar.Për këtë ka hapur tender në fillim të këtij viti me vlerë 15 mijë euro për të angazhuar një kompani, që të bëjë vlerësimin e menaxhimit nëpër shkolla, aktivitetet profesionale, raportet ndërkolegiale të stafit dhe infrastrukturën.

Sipas Ligjit për Inspektoratin e Arsimit dhe atë për Arsimin parauniversitar, këto lloj vlerësime hyjnë në përgjegjësitë e inspektorëve, drejtorive komunale si dhe të drejtorëve të shkollave.

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka thënë se vlerësimi është në kuadër të projektit të nisur nga Komuna për rritjen e cilësisë në arsim. Ai shtoi se u duhet një vlerësim i shpejtë brenda gjashtë muajve.

“Vetëvlerësimin e bëjnë thuajse çdo vit, gati të gjitha shkollat tona e kanë këtë ekip të formuar. Njëkohësisht edhe Inspektorati i arsimit për ne është SIA në Prizren, e bën vlerësimin, por numri i vogël i inspektorëve, mundësia e vlerësimit është e paktë dhe ka ngecje në këtë drejtim, sepse duhet më shumë inspektorë për ta realizuar vlerësimin si duhet”, ka treguar Bajselmani. “Atëherë kemi konstatuar ne për ta bërë gjendjen reale, të shpallet një ofertë të angazhohet një kompani ose një OJQ që merret me çështje arsimore”.

Tenderi i hapur është pezulluar në mars të këtij viti, pasi lënda ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Zyra e Prokurimit në Suharekë fillimisht rekomandoi që fitues të shpallet grupi i operatorëve ekonomik “Konting l.l.c.; Management and Information Technology Consulting m&it l.l.c., Sopoqanska”, meqë pati ofertën më të ulët. Por më pas e anuloi të gjithë procesin, pasi rezultoi se nuk i plotësonte kushtet, Kompania e përzgjedhur nuk ofroi dëshmi se ka përfunduar projekte te ngjashme në tre vjetët e fundit.

KOHA ka kontaktuar me udhëheqësit në kompaninë “Konting”. Elvir Krasniqi, njëri nga bashkëpronarët ka thënë përmes telefonit se nuk është i njoftuar me tenderin dhe se personi përgjegjës për këto çështje, është në trajtim mjekësor jashtë vendit.

Për të gjithë procesin, në OSHP është ankuar operatori ekonomik Albo Group me pretendimin se vlerësimi ishte i padrejtë.

“AK ka marrë dy vendime në ketë procedurë. Më 01.03.2023 na shpall të përgjegjshëm kurse më 16.03.2023 na shpall të papërgjegjshëm, sepse dëshiron që ne të mos jemi nënshkrues të kontratës. Ne si OE kemi realizuar deri tani shumë projekte të kësaj natyre”, thuhet në ankesën e Albo Group.

Të drejtë ankuesit i ka dhënë edhe raporti i ekspertëve të OSHP-së, ku u rekomandua që rasti të kthehet në rivlerësim.

“Eksperti shqyrtues sqaron, se duke u bazuar ne analizën e fakteve/dëshmive të dokumentuara në platformën elektronike e-prokurimi, rrjedhën dhe analizën procedurës se prokurimit, lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, AK – komisioni i rivlerësimit, nuk ka respektuar nenin 7, 59, 60, 62 të LPP-së dhe nenin 40 të Rregullores Nr. 001/2022 për prokurim publik”, thuhet në raportin e ekspertëve.

Drejtori Bajselmani ka pranuar se Zyra e Prokurimit nuk e ka bërë punën si duhet.

“Vlerësimi i tyre është konstatuar se kompania që ka ofertuar më lirë, nuk është kompetente ta realizojë këtë vlerësim, prandaj edhe lënda është në pezullim, pasi nuk është kryer si duhet puna te prokurimi. Është diçka e re edhe për prokurimin, nuk kanë pasur një përvojë të tillë mendoj komisioni që e ka vlerësuar, edhe kjo ka bërë këtë ngecje”, ka thënë ai.

Në Komunën e Suharekës funksionojnë 33 institucione edukativo-arsimore, me rreth 970 të punësuar. Bajselmani ka deklaruar se një hulumtim i gjendjes në arsim është i nevojshëm, meqë vlerëson se cilësia e mësimdhënies nuk është në nivelin e duhur.

“Cilësia në orën e mësimit është pak relative, nuk mundem me thënë se është e kënaqshme, sepse ka ndryshuar qasja e punës me lëndët mësimore”, u shpreh ai. “Kemi disa defekte, kemi raportime të ndryshme që ka mësimdhënës që nuk shkojnë mjaft të përgatitur nëpër orë mësimore dhe për ta bërë këtë, pa qenë të ndikuar në interferencë personale të drejtorit apo të drejtorit të arsimit, atëherë organizata që do ta bëjë vlerësimin do ta paraqesë gjendjen reale, në paraqitjen e rezultateve do të bëhet ky vlerësim, dhe ne do të reagojmë aty ku është më keq”, theksoi Bajselmani./Koha

Leave a Reply