Dita e sotme nis me reshje të herëpashershme shiu në orët e para të mëngjesit, por shumë shpejt, vranësirat do t’i lënë vendin kthjellimeve dhe diellit që do të mbizotërojë pjesën më të madhe të ditës, shkruan 04 Online.
Megjithatë, orët e pasdites sjellin një ndryshim të shpejtë të kushteve atmosferike. Pas një periudhe të qëndrueshme, pritet shtim i vranësirave, të cilat në mbrëmje do të sjellin rrebeshe lokale shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, veçanërisht në disa zona të izoluara.
Era do të fryjë nga juglindja, me intensitet mesatar deri të fortë, duke arritur herë pas here shpejtësi nga 15 deri në 37 km/h.
Temperaturat mbeten të buta dhe pranverore. Minimalet do të luhaten nga 9°C deri në 11°C, ndërsa maksimalet pritet të ngjiten në vlera nga 24°C deri në 26°C./04 Online