Dafina Ukallo është prind i një fëmije me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Kallxo Përnime”, Ukallo ka treguar për shenjat e para kur ka filluar ta kuptojë se fëmija i saj ka inteligjencë të lartë.
“Shenjat e para kanë qenë se është shumë komunikativ, ka pasur një fjalor ‘marramendës’, sepse ndoshta nuk i përket moshës së tij. Ka pasur një interesim të madh për numrat, për astronominë, për planetet, i ka pasur shumë në qejf dinosaurët”, ka thënë Ukallo.
Ajo ka thënë se fëmija i saj në një moshë shumë të re ka pasur njohuri për karakteristikat e planeteve, ndërsa ka thënë se në moshën 4-vjeçare veçse ka filluar të lexojë dhe të shkruajë.
“Planetet i ka ditur me të gjitha karakteristikat e tyre, ka qenë shumë i vogël 3-4-vjeçar. Po ashtu ka pasur interesim të madh edhe për libra, vetë i ka dëshifru shkronjat. Me 4 vjet ka fillu me lexu edhe me shkru. Unë kam qenë e hapur me të edhe pse nuk e kam ditur që ka qenë diçka e jashtëzakonshme, kam mendu që vetëm po shpreh interes për me mësu diçka të re”, tha Ukallo.