Senatorët amerikanë: Serbia të mos e pengojë Kosovën, SHBA-ja do t’ju përkrahë

0
178

Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, deklaruan se Kosova ka qenë gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për këtë shkak, SHBA-ja do ta ndihmojë atë në rrugën përpara.

Murphy u shpreh të hënën në Prishtinë në takim me presidenten Vjosa Osmani se SHBA-ja e vlerëson përkushtimin e Kosovës për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit, derisa shtoi se për Marrëveshjen e Ohrit, Serbia nuk duhet të jetë pengesë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

“Ne do të jemi edhe në vende të tjera të rajonit, por nuk është koiçidencë që kemi ardhur fillimisht në Kosovë. Kosova gjithmonë ka qenë ne krahë të ShBA-së. Ne vlerësojmë përkushtimin e qeverisë për rend dhe ligj dhe luftimin e korrupsionit. Ne kemi ardhur këtu që të shohim, jemi shumë të lumtur me marrëveshjen e fundit, e cila përfshin njohjen. Serbia duhet të mos jetë pengesë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Marrëdhënia Kosovë dhe SHBA vetëm po forcohet”, deklaroi ai.

Ndërsa, senatori Peters tha se Kosova dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie speciale, derisa shtoi se Kosova do të ndihmohet edhe për sigurinë kombëtare.

“Marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale, nuk e di që ekziston ndonjë vend në botë që kanë marrëdhënie kaq të ngushta sa dy vende. Keni ndihmuar SHBA-në që të mbrojë e të ruajë demokracinë në botë. Prandaj SHBA-ja do të jetë pranë jush. Ne do të punojmë me ju edhe për sigurinë kibernetike, do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe në furnizimin e pajisjeve ushtarake”, shtoi ai.

Leave a Reply