Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken sot qëndron në Tiranë – detaje nga vizita disa orëshe

0
95

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot do të vizitojë Shqipërinë.

Tirana i ka bërë të gjitha përgatitjet për të pritur më 15 shkurt Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, numrin dy të administratës amerikane që viziton për herë të parë Shqipërinë.

Blinken do të zhvillojë një vizitë disa orëshe në Tiranë, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 16.00-19.00.

Pjesë e takimeve të Blinken do të jetë edhe ajo me presidentin Bajram Begaj dhe me të rinjtë shqiptarë të cilët janë pjesë e programeve që SHBA financon në vendin tonë. Kjo vizitë riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Për këtë vizitë kryeqyteti shqiptar është veshur me flamujt amerikanë në rrugët ku do të kalojë Blinken, ndërsa në universitetin Politeknik të Tiranës është vendosur një banderolë e madhe me mbishkrimin “Mirë se vjen zoti Blinken”.

Sekretari Blinken ka zgjedhur Shqipërinë mes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të përcjellë jo vetëm mesazhet e Departamentit të Shtetit, por gjithashtu pritet të rikonfirmohet mbështetja për vendin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller gjatë njoftimit të vizitës e cilësoi Shqipërinë “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Sipas DASH, vizita do të përqendrohet pikërisht tek e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor. Yuri Kim, e cila mban detyrën e zv.ndihmës sekretares së Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, e cilësoi vizitën një celebrim të partneritetit të Shqipërisë me SHBA-të.

Gjatë një konference telefonike me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien të martën, Kim tha se “vizita vjen pasi kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Kim, e cila ka shërbyer për disa vite si ambasadore në Tiranë, shtoi se Blinken do të falënderojë vendin për mikpritjen e refugjatëve afganë.

Leave a Reply