Abdixhiku thumbon Qeverinë Kurti: Populistët e majtë i patë, koha jonë po vjen

0
129

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, në trevjetorin e zgjedhjeve parlamentare.

Në një takim me strukturat e LDK-së në Lipjan në Lipjan, Abdixhiku i ka quajtur pushtetarët populistë, të cilët në vitin e fundit të qeverisjes nuk mund të numërojnë asnjë projekt përmbajtësor.

“Mobilizimi ynë nacional po merr formë ndërsa këtu do të shkëlqejë! Folëm për vizionin tonë. Rrugën e Re si përgjigje ndaj populizmit dëshpërues që në vit të fundit qeverisës s’mund të numërojë asnjë projekt përmbajtësor. Thyerja e shpresës do të merr përgjigjen e vet. Ky vend, do të flet! Në këtë vit zgjedhor çdo i djathtë, patriot e rugovist, ka vetëm një adresë. Atë të Lidhjes sonë. Si forcë që garanton rrugëtimin euroatlantik – me miq e plot aleat – si bindje që ofron zhvillimin ekonomik si domosdoshmëri për gjeneratat e tanishme e atyre në vijim. Populistët e majtë i patë. Viti i katërt tashmë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej Abdixhiku ka thënë se koha e LDK-së po vjen.

“S’japin më shumë; s’munden më shumë. Janë përplot urrejtje, përplot propagandë, e punë askund! Koha jonë po vjen”, ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti ka pasur vetëm lëvdata për punën e qeverisjes së tij në trevjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme, në të cilën mori mbi 50 për qind të votave.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se rezultati i 14 shkurtit 2021 ishte evolucion elektoral.

“Sot është 14 shkurti, dita që shënon trevjetorin e fitores tonë historike. Trevjetorin e ndryshimit të madh demokratik, politik e shoqëror. Nuk është vetëm fitore elektorale, është momenti i përmbysjes më të madhe në Kosovë. Është evolucion elektoral, ku fitoi drejtësia mbi diskriminimin dhe interesi publik mbi atë personal e privat. Kemi qeverisur me duar të pastra, duke mbrojtur vendin, ligjshmërinë dhe paqen. Guximi dhe vendosmëria përballë sfidave të mëdha që erdhën e kaluan”, ka thënë Kurti.

Leave a Reply