Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka komentuar datën e caktuar për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Tahiri ka thënë se caktimi i 6 gushtit do të kishte kuptim nëse Lëvizja Vetëvendosje do të kishte tentuar të arrinte një marrëveshje apo të paraqiste një ide për tejkalimin e situatës.
“Caktimi i 6 gushtit kishte me pasë kuptim të kishte ndodhë, në qoftë se përgjatë gjithë kohës kishte pasë dinamikë të Vetëvendosjes si shumicë parlamentare për me mujt me ardhë deri te një marrëveshje, deri te një ide. Krejt çka ka ndodhë: kanë ndodhë dy takime, kanë ndodhë katër konferenca për shtyp dhe asgjë tjetër. Kuvendi dhe Kosova duhet t’i ketë institucionet e veta”, tha Tahiri.
Ai ka theksuar se funksionimi i institucioneve kërkon respektim të rregullave demokratike dhe vullnetit të qytetarëve.
“Mirëpo, të pasë shtet funksional, duhet me iu nështru rregullit demokratik. Rregulli demokratik edhe verdikti i popullit është shumë i thjeshtë: Për Qeverinë, për qeverisje i ki votat urdhëro qeverisë e ki edhe kryetarin e Kuvendit. Për kuvend nuk i ki votat, duhesh me u ulë me gjetë një figurë unifikuese, një figurë përfaqësuese dhe jo një figurë të partisë në pushtet, e cila do të funksiononte si një degë politike e Vetëvendosjes dhe jo si një institucion që do të kishte synim thelbësor ushtrimin e funksionit kushtetuese dhe unitetin e vendit”, ka thënë Tahiri për “Ekonomia Online”.















































