Kancelari gjerman Olaf Scholz, në konferencë për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, deklaroi se është i gëzuar që po viziton Kosovën si vendin e parë në Ballkanin perëndimor.
“Fakti se pas një muaji, pas vizitës në maj kur u takuam në Berlin, jam në vizitë në Kosovë, tregon sa i ngushtë është bashkëpunimi mes dy vendeve tona”, tha kancelari Scholz.
“Edhe transformimi i kampit ushtarak në Prizren në një kam biznesi, tregon bashkëpunimin tonë”.
Kancelari Scholz u shpreh se krahas marrëdhënieve Kosovë-Gjermani, me kryeministrin Kurti folën edhe për perspektivën evropiane dhe liberalizimin e vizave dhe pozicionin e Kosovës, që është i qartë për luftën në Ukrainë.
“Qeveria e Kosovës me sanksione vendosur Rusisë, ka dëshmuar vetën si partnere të besueshme, që qëndron në anën tonë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.
Scholz u shpreh se Procesi i Berlinit do të vazhdojë dhe tanimë me një dinamikë të re. “Për këtë arsye, në vjeshtë do të kemi një takim të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces në Berlin”.
Ai tha se do të punohet për lëvizjen të lirë dhe njohja e diplomave të arrihen së shpejti.
“Kosova dhe Serbia duhet të duhet arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe i dërguari Lajcak ka mbështetjen tonë për këtë çështje”, tha kancelari gjerman.
Sipas tij, dialogu është në interes të të gjithë qytetarëve. “E qartë është se marrëveshja duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk mund të bëhen këto dy vende pjesë të BE-së, pa e njohur njëra tjetrën. Ky proces duhet të jetë pragmatik”.
Ai foli edhe për liberalizimin e vizave. “Kjo çështje duhet të shkojë përpara. Unë brenda bisedave me partnerët tanë në BE, angazhohem me këmbëngulje për këtë çështje sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”.
Kancelari Scholz deklaroi se krahas krijimit të vendeve të punës që Kurti i ka vendosur në prioritet, ka qenë edhe klima dhe energjia.
“ Sa angazhohet Gjermania për stabilitet në Ballkanin perëndimor, tregon edhe angazhimi i ushtrisë gjermane”.