Qirinjtë e dyfytyrësisë!

0
307

Krimi pa adresë në Kosovë : Kohë më parë ndodhën dy krime të tmerrshme në Serbi me ç’rast një fëmijë 13 vjeçar vrau në një shkollë fillore në Beograd 5 nxënës dhe 3 të rritur kurse 48 orë më vonë një 21 vjeçar në Mlladenovc vrau 8 persona dhe plagosi 14 të tjerë. Në dy raste që nuk ndërlidhen me njëri – tjetrin humbën jetën njerëz dhe fëmijë të pafajshëm . Reagimi ishte i madh në Serbi ku keqpërdorej edhe politikisht , si nga pozita ashtu edhe nga opozita sikur që kishte përkrahje solidariteti me familjet e viktimave edhe nga shtetet dhe vendet tjera që duhet dhe është solidarizim nga pozitat njerëzore . Në Kosovë ishte një reagim i menjëhershëm duke ndezur qirinjë para Teatrit Kombëtar që , në një mënyrë është shndërruar në “ Mur Vajtimi “ , sikur ai në Jerusalem . Ndezja e qirinjve është shndërruar në një ritual ku reagohet sipas një automatizmi , jo gjithëherë i sinqertë , madje , më së paku i sinqertë . për përfitime mediatike dhe materiale , pa asnjë dyshim. Ndezësit e qirinjve thuaja janë persona të njëjtë dhe aspak nuk është e vështirë të parashikohet kur dhe si do t’i ndezin qirinjtë . Në Kosovë afërsisht 2000 fëmijë janë ekzekutuar nga policët , paramilitarët dhe ushtarër e Serbisë apo e kanë humbur jetën shkaku i pamundësisë t’iu ofrohet kujdesi shëndetësor apo mungesë të ushqimit sikur edhe kushteve të rënda klimatike. Fëmijët shqiptarë janë ekzekutuar thuaja në të gjitha vrasjet në masë e që gjithmonë janë mohuar nga regjimi serb pjesë aktive e të cilit në kohën kur u masakruan këta fëmijë ishin edhe Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiq , midis shumë të tjerëve . Kur KMDLNj –ë e pati bërë publike fotografinë e një foshnje të ekzekutuar të familjes Delijaj , regjimi i Serbisë që për shef të informimit e kishte Aleksandar Vuçiqin doli publikisht me deklaratë se shqiptarët e kanë veshur një kukull me rroba të foshnjes për ta paraqitur si vrasje të fëmijëve. Nuk kishte asgjë më çnjerëzore se kjo deklaratë e një personi që falsifikonte faturat e krimit siç e bënte Aleksandar Vuçiqi në atë kohë dhe siç e bënë edhe sot ! As Serbia e as udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Serbisë asnjëherë nuk i pranuan këto krime madje i mohuan edhe masakrat si ajo e Reçakut dhe të tjera . Disa prej këtyre masakrave ua veshën bombardimeve të NATO –së. Nëse gjatë luftës dhe menjëherë pas përfundimit të luftës hezitonin t’i pranonin këto krime , sidomos ndaj fëmijëve shqiptarë , tash , 24 vite pasi lufta ka përfunduar dhe kur po bisedohet për normalizim të marëdhënieve , nuk ka asnjë arsye të mohohen këto krime. Nëse sinqerisht duan të ballafaqohen me të kaluarën dhe të normalizojnë marëdhëniet me shqiptarët për aq sa është e mundur në këtë fazë të procesit. Para Teatrit Kombëtar kur u ndezën qirinjtë kishte edhe personalitete të larta politike që nuk është se ishin shquar në raste kur kërkohej drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë në përgjithësi dhe fëmijëve , në veçanti. Tash , pushteti i bekuar me të gjitha të mirat që po ua ofron po i nxjerrë në tërë lakuriqësinë e tyre të mungesës së dinjitetit , karakterit dhe përkushtimit duke i shndërruar në zombi të maskuar me një pëlhurë njerëzore . Ashtu siç e kërkon pushteti apo gjakimi që të qëndrohet në pushtet. Nuk vonoi shumë dhe , sipas një automatizmi të akorduar reaguan , si qirinjë të shuar , kryeministri Albin Kurti , presidentja Vojsa Osmani dhe Glauk Konjufca , Çarli Çaplini i Kuvendit të Kosovës. Në rrethana normale reagimi i tyre do të ishte krejtësisht normal kurse , në këto rrethana reagimi i tyre ishte për qëllime politike , i pasinqertë , manipulativ dhe jo i domosdoshëm. Reagimi i tyre ishte për t’iu vardisur ndërkombëtarëve ; Lajçakut , Borrellit , Macronit , Sholcit , Eskobarit dhe burokratëve tjerë . Ishte reagim pa shpirt , refleksiv , i pasinqertë dhe për përdorim të jashtëm. Ka munguar vetëm të hapin edhe të pame ! Gjë që asnjëherë nuk e kishin bërë për fëmijët shqiptarë të vrarë në luftën e fundit në Kosovës .

Dyfytyrësha !
Kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shkoi në fshatin Staro Gracko dhe u përkul para viktimave civile serbe , qytetarë dhe shtetas të Kosovës që u vranë duke punuar tokat e tyre nga persona të paidentifikuar deri më tani , ndaj presidentit Thaçi filloi një linçim medial dhe politik , vetëm sa nuk e ekzekutuan . Edhe këta që janë sot në pushtet . Ndërkaq që ishte krejtësisht normale që të nderohen viktimat e pafajshme civile , shtetas të Kosovës të përkatësisë etnike serbe. Po e njëjta situatë ishte me ata që solidarizoheshin me familjet e fëmijëve serbë të fshatit Gorazhdec , qytetarë dhe shtetas të Kosovës që u vranë në rrethana të pasqaruara , pa bërë asnjë faj , nga vrasës të paidentifikuar deri më sot . Zbatim i standardeve të dyfishta ndaj viktimave civile ; për të vrarët serbë në Staro Gracko dhe fëmijët serbë në Gorazhdec , nuk kishte reagime sepse nuk përfitohej politikisht kurse për fëmijët dhe personat serbë të vrarë në Serbi e që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën , bartësitë më të lartë të institucioneve po derdhin lotë krokodili , aligatori , kajmani , hardhuce e zhapini . E pabesueshme !
Dyfytyrësia si dukje dhe veprim : U bë lajm dite kërkesa e Qerim Qerimit , i zgjedhur Rektor nga establishmenti aktual politik dhe qerimqerimëve tjerë për rikthim të emrit të Universitetit të Prishtinës duke e hedhur në shportë të mbeturinave emrin e Hasan Prishtinës . Sot , të jeshë patriot në Kosovë është rrethanë rënduese në të gjitha sferat e jetës. Mbetjet jugosllave dhe serbe , të shndërruara në mumie që ende sillen vërdallë sikur edhe trashigimtarët e tyre biologjikë , nëpër intrevista dhe fejsbuka po e sulmojnë emërtimin e këtij Universiteti si diçka që në atë kohë iu ishte imponuar nga politika përmes ish – Rektorit Mujë Rugova në kohën kur në oborrin para rektoratit duartrokisnin gjatë pëprurimit të shtatores së Hasan Prishtinës të cilin , një politikane e rangut të lartë , duke e lexuar fjalën e rastit , në mes të tjerash pati deklaruar se Hasan Prishtina ka qenë shok i ngusht e idealit me Luigj Karakuqin ( Gurakuqin , mendoj ). Tash , në tërë këtë entusiasmin antikombëtar kundër çdo vlere patriotike , ndoshta , si zgjedhje kompromisi duhet të përcaktohemi midis “ Mirë Dita , Dobar Dan “ apo ta emërtojmë me emrin e ish – rektorit Radoje Papoviqit , të cilit disa i patën shërbyer me zell shfrenues. Sidomos kjo vlenë për jugonostalgjikët dhe serbonostalgjikët ! Pse dhe kujt i pengon thjesht emërtimi Universiteti “ Hasan Prishtina “ përveç këtyre që iu pengon Adem Jashari , Adem Demaçi , Fehmi dhe Xhevë Lladrovci , Rexhep Malaj e Nuhi Berisha , Bahri dhe Fahri Fazliu , Afrim Zhitia dhe Zahir Pajaziti , Xhon Serreqi dhe Marie Shllaku dhe të gjithë patriotët tjerë . Kohë të vështira janë mbi Kosovën dhe shqiptarët , dënohemi nëse i përkrahim heronjtë që na çliruan e që po mbahen si pengje në Gjykatën Raciste në Hagë dhe lavdërohemi nëse themi “ Mirë Dita , Dobar Dan “. Milaim Zeka e pati mirë një ditë kur tha se personalitetet e shquara politike dhe kombëtare shqiptare , më mirë të mos lenin fare pasaardhës . Së paku nuk do të detyrohen të rrotulloheshin në varr për poshtërsitë dhe të pabërat e mendermethënë pasardhësve të tyre !

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply