PSG-ja, Reali, Arabia Saudite, 700 milionë euro rrogë në vit e 22 euro në sekondë… vazhdon “telenovela” Kylian Mbappe

0
203

Kylian Mbappe është pa diskutim emri më i përfolur i kësaj vere në botën e futbollit.

Njëjtë si vitin e kaluar, ylli francez është protagonist i afatit kalimtar.

24 vjeçari është rebeluar prapë pasi nuk po pranon ta vazhdojë kontratën për një vit me Paris Saint-Germainin, ndonëse një gjë e tillë pritej të ndodhte.

Vitin e kaluar, përfaqësuesi francez kishte nënshkruar me PSG-në për dy vjet, me opsion vazhdimi për një vit tjetër, shkruan “Gazeta Express”.

Por, ish-futbollisti i Monacos i ka befasuar parisienët duke vendosur të mos e shfrytëzojë këtë opsion.

Me këtë rast edhe hoqi dorë nga 90 milionë euro, të cilat do t’i merrte si shpërblim nëse do ta respektonte kontratën deri më 2024.

E më pas nisi një “luftë” mes tij dhe kampionit francez.

Parisienët duan ta shesin gjithsesi futbollistin e tyre problematik gjatë kësaj vere.

Kjo pasi vitin tjetër do ta humbisnin pa para pasi atij do t’i skadonte kontrata dhe do të bëhej lojtar i lirë.

Natyrisht, klubi nga “Parku i Princave” nuk e ka ndërmend t’ia bëjë askujt dhuratë njërin prej futbollistëve më të mirë në botë.

Javë më parë u tha se Mbappen po e kërkonin dy klubet angleze, Liverpool e Arsenal.

Për “Reds” thuhet se i kanë ofruar 250 milionë euro për lojtarin, i cili megjithatë duket se ka preferenca të tjera…

Por, ndërkohë në lojë u futën edhe klubet arabe.

Më saktësisht, klubi Al Hilal, për të cilin u tha së bëri ofertë marramendëse për futbollistin këmbëshpejtë.

Oferta e klubit saudit për Paris Saint-Germain ishte 300 milionë euro, më e madhja e ofruar ndonjëherë për të.

Me këtë rast, ai do të bëhej futbollisti më i shtrenjtë në histori pasi primatin qe një kohë e mban braziliani Neymar me 222 milionë euro, i blerë pikërisht nga parisienët prej Barcelonës.

Mediat e huaja raportuan se Mbappe e mori një ofertë marramendëse nga Al Hilal.

Gjithnjë sipas këtyre mediave, lojtarit iu ofrua një kontratë njëvjeçare me një rrogë prej 700 milionë eurosh në vit, shkruan “Gazeta Express”.

Nëse e kalkulojmë dhe futemi më thellë, do të na dalin shifra të frikshme.

Me këtë rrogë, Mbappe do të paguhej plot 58,33 milionë euro në muaj.

E nëse e llogarisim për një javë, ai do të paguhej 13,3 milionë euro.

Po për një ditë sa do të pasurohej xhirollogaria e lojtarit?

Besoni ose jo, Mbappe do t’i merrte 1,9 milion euro për 24 orë.

Po për një orë? Hiç më pak se 79,900 euro do të fryhej arka e lojtarit brenda 60 minutash.

E për një minutë, Mbappe do të paguhej 1,332 euro, kurse për një sekondë 22 euro.

Me këtë rrogë, Mbappe do ta kompleksonte edhe Cristiano Ronaldon.

Kjo pasi ylli portugez paguhet 200 milionë euro në vit, respektivisht 4 euro në sekondë.

Megjithatë, më vonë mediat e huaja e “zbutën” pak ofertën për Mbappen, të arritur nga Arabia Saudite, në 200 milionë euro në vit.

Sidoqoftë, Mbappe nuk dëshiron as të vazhdojë të luajë në Paris e as ta pranojë ofertën e jashtëzakonshme arabe.

Në mendjen e nënkampionit botëror me Francën është veç Real Madridi.

Gjiganti spanjoll u ndie i tradhtuar vitin e kaluar nga lojtari, i cili vetëm në momentet e fundit e ndërroi mendjen dhe e vazhdoi kontratën me parisienët.

“Los Blancos” tash duan t’ia japin edhe një rast Mbappes, i cili shihet si zëvendësues adekuat i Karim Benzemas, i cili përfundoi në Arabinë Saudite.

Lojtari e ka pranuar se Reali është një ëndërr e tij që nga fëmijëria, të cilën dëshiron ta përjetojë.

Së fundmi, thuhet se presidenti Florentino Perez i ka bërë gati 230 milionë euro për kartonin e Mbappes, shkruan “Gazeta Express”.

Tash pritet përgjigja e miliarderëve arabë, të cilët do të mundohen të nxjerrin sa më shumë para nga shitja e lojtarit të tyre.

Natyrisht, transferimi në “Santiago Bernabeu” nuk do të ishte më i pëlqyeri për parisienët.

Por, kjo është dëshira e futbollistit dhe në fund kështu pritet të ndodhë.

Nëse jo sivjet, sulmuesi do të përfundonte në Spanjë në vitin e ardhshëm si lojtar i lirë.

Por, Realit nuk po i pritet deri në verën e vitit 2024 pasi po synon ta transferojë atë me çdo kusht në këtë afat kalimtar.

Sigurisht, “Mbretërit” spanjollë kanë bërë të ditur se nuk do të paguajnë shifra të çmendura për lojtarin, duke paralajmëruar se s’janë të gatshëm t’i japin 300 milionë euro për kartonin e tij.

Në Madrid, Mbappe pritet të paguhet 50 milionë euro në vit, ndërsa mund t’i jepet edhe pjesa dërrmuese e përqindjes së të drejtave televizive.

Reali e ka bërë një ekip fantastik për sezonin e ardhshëm, por është duke e pritur edhe qershinë mbi tortë – Kylian Mbappen.

E lojtari në Madrid ndoshta nuk do t’i fitojë paratë e PSG-së ose të arabëve, por prestigjin do ta kishte më të madh, shkruan “Gazeta Express”.

Ai madje me ekipin mbretëror spanjoll do të ishte më afër trofeve kryesorë që i ëndërron, Ligës së Kampionëve, por edhe Topit të Artë.

E me Kombëtaren e Francës, siç dihet e ka kompletuar misionin duke u shpallur kampion bote para pesë vjetësh. 

Leave a Reply