Prizren | Mbahet aktiviteti në mbështetje dhe promovim të përpjekjeve kundër bullizmit në shkollat e mesme të ulëta

0
150

Takimi kundër bullizmit, i mbajtur në Ansamblenë e Prizrenit, shërbeu si një platformë për bashkëpunim të gjerë në mbrojtje të nxënësve dhe për parandalimin e bullizmit në shkollat e qytetit, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

“Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, përfshirë Kryetarin e Komunës z. Shaqir Totaj, Drejtoreshën e Arsimit znj. Luljeta Veselaj Gutaj dhe Udhëheqësin e Shërbimeve Sociale në QPS Prizren, z. Muhamed Shala, të cilët mbështetën fuqimisht aktivitetet dhe morën pjesë në shpërndarjen e shpërblimeve për nxënësit fitues.
Në takim morën pjesë gjithashtu zyrtarë të tjerë komunalë nga këto dikastere, si dhe një pjesëmarrje e gjerë e nxënësve, mësimdhënësve, psikologëve dhe prindërve. Përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare për Psikodiagnostikë dhe Psikoterapi (SHKPP), Aleancës Kundër Bullizmit (AKB), organizatave të shoqërisë civile, si Nevo Koncepti dhe të tjera, si dhe përfaqësuesit e Ansamblesë së Fëmijëve në komunën e Prizrenit, kontribuan me pjesëmarrjen e tyre, duke dhënë mbështetje dhe përkushtim për një ambient më të sigurt dhe mbështetës për nxënësit.
Takimi filloi me fjalën hyrëse të moderatores së takimit Aida Baftjarit, e cila theksoi rëndësinë e luftës kundër bullizmit dhe nevojën për një përkushtim të përbashkët nga shkollat, familjet dhe komuniteti. Në vijim, Kryetari Totaj shprehu mbështetjen institucionale të Komunës së Prizrenit, duke nënvizuar përkushtimin e komunës në krijimin e një mjedisi edukativ të sigurt. Dr. Sc. Latif Hoxha, kryetar i Shoqatës Kosovare për Psikodiagnostikë dhe Psikoterapi (SHKPP), diskutoi për aktivitetet e ndërmarra nga SHKPP dhe Aleanca Kundër Bullizmit, të cilat synojnë përforcimin e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për nxënësit.
Gjatë takimit në Ansamblenë e Prizrenit, nxënësit fitues në konkursin për vizatimin dhe filmin e shkurtër u vlerësuan dhe shpërblyen për krijimet e tyre frymëzuese mbi temën e bullizmit. Nga gjithsej 114 punime në vizatim dhe 12 projekte në film të shkurtër, u ndanë çmime për tri vendet e para në secilën kategori. Përveç këtyre, dy çmime të veçanta të internetit iu akorduan për vizatimin dhe filmin që kishin marrë më shumë pëlqime nga publiku i gjërë në rrjete sociale. Ky moment ishte një mundësi për të njohur dhe vlerësuar përpjekjet kreative të nxënësve dhe për të theksuar rëndësinë e artit si një formë e fuqishme për të shprehur qëndrimet dhe përvojat e tyre ndaj bullizmit.
Në takim u prezantuan rezultatet e hulumtimit të SHKPP-së mbi prevalencën dhe pasojat e bullizmit, të paraqitura nga Mr. Sc. Nasim Ahmeti, i cili ndau statistika të rëndësishme që ilustrojnë përhapjen e bullizmit dhe ndikimin e tij në mirëqenien e nxënësve. Ky takim kulmoi me shpalljen e “Javës Kombëtare Kundër Bullizmit,” një simbolikë që synon të promovojë aktivitete ndërgjegjësuese për parandalimin e bullizmit në të gjitha shkollat e Prizrenit dhe më gjerë.1
Në takimin kundër bullizmit, i mbajtur në Ansamblenë e Prizrenit, u prezantuan disa komponentë inovativë që ishin risitë e para të këtij lloji jo vetëm në Prizren, por edhe në nivel vendi. Këto përfshinin lansimin e një Linku për raportim anonim, i cili u jep nxënësve dhe stafit mundësinë të raportojnë raste të bullizmit pa frikën e ekspozimit; Konkursin për vizatimin dhe filmin më të mirë me temë bullizmin, që inkurajoi nxënësit të shprehin mendimet dhe përvojat e tyre përmes artit; Shpalljen e Javës Kombëtare Kundër Bullizmit, një iniciativë për të përfshirë të gjitha shkollat në aktivitete ndërgjegjësuese; si dhe Manualin për luftimin dhe parandalimin e bullizmit si udhërrëfyes për shkollat, të përgatitur nga ekipet profesionale të SHKPP-së, që ofron udhëzime praktike për menaxhimin dhe parandalimin efektiv të bullizmit në mjedisin shkollor. Këto iniciativa përfaqësojnë një qasje të re dhe të strukturuar ndaj fenomenit të bullizmit, duke shërbyer si model për përhapjen e praktikave të sigurta dhe të mbështetura për nxënësit në mbarë vendin.
Në fund, sesioni i pyetjeve dhe përgjigjeve inkurajoi pjesëmarrësit të ndajnë mendime dhe sugjerime për nisma të ardhshme, ndërsa përmbyllja nga Aida Baftjari nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë nxënësit”, thuhet në njoftim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here