Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit në Prizren si të kundërligjshëm dhe pa bazë ligjore. Ai madje ka thënë se vendimi për shkarkimin e tij është i motivuar nga ‘lartë’ dhe kryekëput është fushatë qëllimkeqe mediale.
Doktor Gjini e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se vendimi për shkarkimin e tij është marrë pa konsultim paraprak dhe se fillimisht i është kumtuar vendimi gojarisht, e tek pastaj edhe të nesërmen ai e ka pranuar vendimi zyrtar.
Ai ka treguar për Sinjalin se vendimi është skandaloz ngase nuk përmban arsyetim të elaboruar se përse është liruar nga detyra, për të ditur se në çfarë bazash, apo rrethanash bazohet ky vendim.
Sipas tij, ky vendim, veç tjerash është në kundërligjshmërinë e e tij, ngase nuk ma jep të drejtën e mjetit juridik të ankesës për lirimin tim nga posti.
“Pra si mund të merret një vendim i tillë, duke tejkaluar kompetencat dhe autorizimet zyrtare të personave përgjegjës, vetëm që lirimi nga posti të bëhet në një afat rekord”, ka theksuar ai në reagim, duke e konsideruar këtë proces si një fushatë mediale që i është bërë atij.
Ai ka treguar se tash ka marrë hapat e tij ligjor dhe se bashkë me avokatët e tij rasti është paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Derisa ka mohuar se ka pasur përplasje me drejtoreshën e spitalit Narqize Arenliu-Hoxha, e që sipas tij nuk pasur fare kontakte me të, ngase vendimin e ka pranuar nga drejtori i Klinikës.
Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën e spitalit por kjo e fundit nuk është përgjigjur.
Doktori ka theksuar se në spitalin e Prizrenit, punon prej 37 vitesh duke qenë përherë në shërbim të pacientëve, dhe se ky rast sipas tij kryekëput është një fushatë mediale e orkestruar nga njerëz që kanë qëllime të këqija e që për të cilat ka thënë se do të flas para organeve ligj zbatuese.