“Të bëhet certifikimi dhe, natyrisht, ne jemi të interesuar që, pa humbur kohë, të hyjmë në fazën e ardhshme, që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt, aq më mirë.”
Kanë kaluar gati 20 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe premtimi i Kurtit nuk është përmbushur.
Ndonëse në LVV thonë se i kanë votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, sipas tyre po presin zhvillimet brenda LDK-së për të arritur një marrëveshje politike edhe për çështjen e presidentit.
Analisti politik, Lutfi Bilalli, e kritikon këtë qasje të LVV-së.
“LVV-ja dëshiron ta ketë LDK-në brenda, por nuk është në rregull që procese kaq të rëndësishme për Kosovën të ndërlidhen me këto zhvillime.”, tha Bilalli për rtv21
Ndërkohë, politologu Albinot Maloku vlerëson se, në skenarin e LVV-së për zvarritjen e formimit të institucioneve, me dashje apo pa dashje, ka ndikuar edhe LDK-ja me zhvillimet e saj të brendshme partiake.
“LDK-ja i dha një narrativë të mirë LVV-së në raport me mosecjen drejt formimit të institucioneve mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, dhe kjo ishte gabim. Në anën tjetër, LVV-së kjo situatë nuk është se nuk po i konvenon, për shkak të ambicies për të shkuar edhe në një proces të ri zgjedhor, që gjithsesi është rëndesë për qytetarët. Një proces i ri zgjedhor po planifikohet, siç ka qenë traditë, sidomos për LVV-në, që t’i projektojë ambiciet se në atë datë do të jetë më e suksesshme.”, u shpreh Maloku për rtv21
Të dy njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se mungesa e takimeve ndërmjet liderëve të partive politike, të cilat do të çonin drejt një marrëveshjeje politike, është sinjal i qartë se partitë janë në një linjë për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.
“Sa më shumë që shtyhet formimi i institucioneve, aq më të qarta janë shenjat se mund të shkojmë në zgjedhje.”, tha Bilalli.
Të gjitha subjektet politike, të inspiruara nga njëra-tjetra, nuk po e vendosin interesin shtetëror në plan të parë. Subjekti i parë e ka pasur mundësinë që, përmes një kompromisi me subjektet e tjera politike, të gjejë një zgjidhje.”
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se të premten do ta caktojë datën e seancës konstituive të Kuvendit./RTV21/21Media















































