Osmani për Asociacionin: Duhet një akt nga Qeveria, pastaj unë mund ta çojë në Kushtetuese

0
60

Presidentja Vjosa Osmani, ka dhënë një deklaratë nga Amerika për Asociacionin, themelimi i të cilit po kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë. Ajo tha se krijimi i  Asociacionit nuk nënkupton që shteti ynë është i gatshëm të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e tij. 

Osmani tha se Asociacioni mund të bëhet brenda suazave pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen.

Lidhur me këtë temë ajo foli për Zërin e Amerikës, duke theksuar se për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, pastaj Osmani do ta dërgonte në Kushtetuese.

Osmani shprehet se “Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje”.

Zëri i Amerikës: Në ç’rrethana do të bënit lëshime për të filluar të paktën procesin e themelimit të Asociacionit, që mund të ishte për shembull, çuarja në Gjykatë Kushtetuese? Jo nga ju, meqë ju nuk e keni kompetencë këtë…

Vjosa Osmani: Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje.

Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje.

Zëri i Amerikës: Nuk i kanë ofruar partnerët këto?

Vjosa Osmani: Deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra të ulemi bashkë me partnerët tanë, ne e bëjmë këtë, pastaj i marrim nga ana e partnerëve tanë garancitë për siguri, pasi duhet të sigurohemi që ajo çfarë po ndodh në Bosnjë, asnjëherë të mos ndodhë në Kosovë.

Sepse kjo jo vetëm që nuk është në intereset të qytetarëve tanë, pavarësisht cilës etni, por as nuk është në interest të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here