Osmani për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Kosova është e pavarur dhe ashtu do të jetë gjithmonë

0
205

Në Kazermën “Adem Jashari”, është mbajtur ceremonia e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.

Osmani në fjalën e saj ka thënë se heronjtë e rënë kthyen “dinjitetin tonë, mbrojtën pragun e shtëpisë, nderin dhe vatrat shekullore duke u shndërruar në flakadan të përhershëm të Republikës”.

Osmani ka theksuar se Epopeja është një histori e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe shpresës, është histori sakrifice dhe triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Me trimëri e guxim, këta burra e gra luftuan, luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë e për ta siguruar një të ardhme më të mirë. Ata nuk ishin thjesht ushtarë, ishin dhe mbesin heronj. Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të tre mijë dëshmorëve të UCK-së dhe mijëra luftëtarëve. Ata janë mishërim i trimërisë dhe nderit, prandaj në këtë ditë kujtojmë edhe trimërinë e guximin e të gjithë ushtarëve tanë. Kosova është amaneti i tyre, e tashmja dhe e ardhmja e brezave. Sot po jetojmë në një kohë pasigurie globale por do të marrim forcë nga heronjtë tanë, amaneti i tyre dhe pasardhësit e Ushtrisë tonë çlirimtare. Ju jeni garanca jonë, krenaria jonë”, ka thënë Osmani.

“Përkrah forcave aleate, ishim dhe do të jemi, në misione humanitare, të paqes e stabilitetit, për të ardhmen e Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s. Epopeja na kujton se çdo gjë është e mundur nëse besojmë në vetveten tonë dhe kauzën tonë dhe punojmë të gjithë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Me 5,6,7 mars, Shabani, Ademi, Hamza, e secili anëtarë i familjes, gra burra e fëmijë treguan heroizëm, stoicizëm e përkushtim ndaj ne u detyrohemi atyre me mirënjohje të përhershme, do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilët ata luftuan dhe ranë”, shtoi ajo.

Pos tyre, pjesë e ceremonisë ishin edhe ministra të tjerë si ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e të tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here