Një çerek shekulli në kërkim për të vërtetën, familjarët e Komandant Drinit kërkojnë drejtësi

0
58

Familjarët e Ekrem Rexhës – Komandant Drinit në përkujtimin e 25-vjetorit të vrasjes së tij kanë përsëritur kërkesën për drejtësi, sikurse edhe zhgënjimin për mosveprimin e institucioneve përgjegjëse.

Në njoftimin lidhur me ceremoninë e përkujtimit është bërë e ditur se me 8 maj 2025 bëhen 25 vite pikëllimi si dhe 25 vite kërkese për të vërtetën e për të vënë drejtësi lidhur me këtë rast.

“Duke përsëritur për të 25 herë, ne qëndrojmë pranë varrit të tij që ta përkujtojmë veprën dhe sakrificën e tij për një Kosovë të lirë. Por njëkohësisht me heshtje dhe dhimbje, gjithnjë e shprehim zhgënjimin tonë për mosveprim të institucioneve të drejtësisë, mu për të cilat Komandant Drini ka luftuar”, thuhet në njoftim.

Aty është sqaruar edhe agjenda përkujtimore duke filluar me homazhe nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit, derisa në mbrëmje do të bëhet ndezja e flakadanëve, me ecje nga Ura e Arastës deri në Kalanë e Prizrenit nën drejtimin e tifogrupit “Arpagjikt”.

Në 25 vjetorin e vrasjes, Ekrem Rexha – Komandant Drini, është përkujtuar edhe nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Sipas tij, Komandant Drini ishte një nga figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me lidershipin e tij të jashtëzakonshëm dhe dedikimin për liri, udhëhoqi luftën në një nga zonat më të nxehta të luftës, atë të Pashtrikut.

“Kontributi i tij në çlirimin e Kosovës, sidomos të rajonit të Prizrenit, dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve do të mbahet mend për breza të tërë. Komandant Drini është shembull i shquar i guximit dhe sakrificës për atdheun, që dha gjithçka për të siguruar të ardhme me dinjitet për popullin shqiptar. Sot, 25 vjet pas vdekjes, kujtimi për të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e drejtësisë dhe lirisë. Lavdi për Komandant Drinin dhe të gjithë dëshmorët e kombit”, ka shkruar Totaj në rrjetet sociale.

Ekrem Rexha – Komandant Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000. Në atë kohë ai ka qenë në krye të drejtorisë komunale për Emergjencë. Lidhur me këtë rast në vitin 2001 ka pasur arrestime, të pasuara edhe me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Qarkut. Sipas familjarëve të komandant Drinit dhe raporteve ndërkombëtare në vitet pasuese për këtë rast nën kryesimin e gjyqtarëve të UNMIK-ut janë mbajtur dy procese gjyqësore, ku në shkallën e parë ka pas edhe aktgjykime dënuese, por se shkalla e dytë e gjyqësorit në mungesë të provave i ka liruar të akuzuarit, ndërkohë që ekzekutuesi nuk është identifikuar asnjëherë. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here