Nesër afati i fundit për presidentin – partitë pa emrin që e siguron pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit

0
63

Nesër është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK tre emra jopartiakë dhe njërin prej tyre të zgjedhin President.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës e atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut për të propozuar tri emra për postin e presidentit. Por, ky afat tashmë ka kaluar dhe këto dy parti opozitare nuk kanë propozuar tre emra.

Ndërsa mbrëmë janë përplasur përmes deklaratave Vetëvendosje dhe LDK, shkruan Reporteri.net.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci mbrëmë deklaroi se “akoma po presin emra konkretë nga dy partitë opozitare”.

“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte (mbrëmë), dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka shkruar ndër tjerash Nagavci në Facebook.

Por, dy deputetët e LDK-së Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, të dielën pyetën pushtetin nëse i kanë 66 vota.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se tashmë emri është bërë i ditur, duke kërkuar nga shumica parlamentare të sqarojë nëse i ka votat e nevojshme.

“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar shkurt Lushaku.

Kurse deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, përmes një statusi ka pyetur VV-në se ku mbetën qato 66 vota.

“Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”, ka shkruar ai.

Poashtu ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së Avdullah Hoti, i cili tha se janë dy ditët vendimtare, ku ose zgjedhet Presidenti apo mandati i kthehet deputetëve.

Kujtojmë se të shtunën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook i bëri të qartë Kurtit duke i thënë se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.

Abdixhiku theksoi se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së.

Kurse, nga Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ofertën e Vetëvendosjes.3

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur Kurtit edhe përmes një videoadresimi publik.

Hamza ka thënë se dje pamë një tentim tjetër nga Kurti për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Ndryshe,  një ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk zgjidhet presidenti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë gati për organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas afatit kushtetues do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.

Në rast se zgjedhjet shpallen, ato do të ishin të pestat brenda 16 muajve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here