Ne kemi nevojë për respekt e mirënjohje e jo për një copë letër! Përmirësohuni!

0
524

Të dashur bashkëluftëtarë, nga data 11-20 qershor në komuna të ndryshme të vendit festohet dita e çlirimit. Në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme për komunën e Prizrenit është edhe data 12 qershor, dita kur forcat aleate së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në qytetin e Prizrenit, duke i dhënë fund pushtimit gati një shekullor të Jugosllavisë e rrjedhimisht edhe Serbisë.

Në këto ditë të veçanta për vendin tonë kujtohen individë, grupe individësh apo organizata të ndryshme, për kontributin dhe vlerat e tyre në interes të vendit, shoqërisë apo kombit në përgjithësi! Një veprim të tillë e ka bërë edhe kryetari i komunës së Prizrenit z. Shaqir Totaj duke ndarë mirënjohje për një numër të madh të invalidëve të luftës, por fatkeqësia e kësaj ngjarje qëndron mbi formën e ndarjes së këtyre mirënjohjeve.

Dua të njoftoj kryetarin e komunës sime se: “ Invalidët, veteranët e kushdo tjetër që ka dhënë sadopak kontribut për lirinë e vendit tonë nuk meriton një trajtim të tillë”,ndarja e shpërblimeve, mirënjohjeve dhe dekoratave bëhet në mënyrë solemne e ceremoniale, pra nëse vërtet dikush meriton të shpërblehet kjo është rruga e duhur, ndërsa të kundërtën e kësaj forme e ka bërë kryetari i komunës së Prizrenit, e që është: nënçmuese, mosmirënjohëse e ku ta di unë çka jo tjetër. Ne kemi bërë luftë të hapur e jo fshehtas (tinëzare).

Lufta e djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë për liri, e njohur botërisht, prandaj ne nuk ndihemi fajtorë për të kaluarën tonë për luftën e për sakrificën për liri! Këto data e ngjarje duhet kujtuar me respekt e krenari!

Kërkoj që kjo formë nënçmuese dhe e sjelljeve jodinjitoze të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Ne kemi nevojë për respekt e mirënjohje e jo për një copë letër!!
Përmirësohuni!

Shkruan: Bedri BYTYÇI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply