Marshim të qytetarëve shqiptarëve në veri? Policia e Kosovës: Shpërfillni thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës

0
196

Disa thirrje janë përhapur në rrjetet sociale për organizimin e një proteste masive, sot në ora 12:00 në jug të Mitrovicës. Thirrjet iu drejtohen qytetarëve shqiptarë për të marrë pjesë kinse për marshim në veri të vendit. Me këtë rast ka reaguar Policia e Kosovës.

Organet e rendit njoftojnë se pas vlerësimit nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të kenë qëllim të keq, në dëm të vetë qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Andaj iu bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

“Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, thuhet në reagimin e Policisë./Klan Kosova

Leave a Reply