Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi këtë të premte se “shpreson” që ylli i Paris Saint-Germain dhe njëkohësisht kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024, edhe pse Real Madrid-i, i cili pritet ta marrë atë për në verë, nuk ka ndërmend të lirojë lojtarët e tij për këtë kompeticion.
“Shpresoj se ai mund të marrë pjesë në Lojërat Olimpike”,-tha Macron, duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë vizitës së tij në një shkollë në Paris.
Mbappe ka shprehur vazhdimisht vullnetin për të marrë pjesë në Olimpiadën e Parisit (26 korrik-11 gusht), por klubet nuk kanë asnjë detyrim të lënë lojtarët e tyre të largohen për këtë kompeticion./SS