Perëndimi e kishte bërë të qartë se Kosova nuk mund ta hapte njëanshëm urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, kur Albin Kurti insistonte para dy vjetësh se kishte ardhur koha që ajo të bëhej. Një rikujtim se si kishte insistuar dhe si ishte tërhequr atëherë kryeministri në detyrë.
Shqiprim Salihu
Bashkimi Europian kërkon “koordinim efektiv” dhe “konsultime kuptimplota” ndërmjet komunave veriore dhe institucioneve qendrore të Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Koordinimi dhe konsultimet “duhet të zhvillohen” tha sot në një konferencë për media zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper pas pyetjeve nëse ura duhet hapur.
Para pak ditësh, BE-ja konfirmoi se janë përmbushur kushtet për hapjen e kësaj ure, disa ditë pasi KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, njoftoi për një “tranzicionin gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër.
Në raportin e vitit 2025 për vendin, BE-ja thoshte se hapja e urës “duhet të koordinohet me partnerët e sigurisë”.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, i tha një zëdhënës i BE-së Gazetës Express para pak ditësh.
Por, në qëndrimin e saj për çështjen e hapjes së urës, BE-ja thotë se “Policia e Kosovës duhet të ofrojë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në përputhje me të drejtat demokratike të njeriut dhe parimet e sundimit të ligjit, në mënyrë që gjithkush të ndjehet i sigurt”.
Insistimi dhe tërheqja e Kurtit para dy vjetësh
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte “vendosur” në verën e vitit 2024 se kishte ardhur koha që ura që e ndan Mitrovicën në dy komuna, të hapej.
Këtë dukej se e kishte menduar muaj më parë, kur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, paralajmëronte në maj të atij viti se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohej se si të bëhej kjo.
Në dy muajt pasardhës nisi një këmbëngulje e Kurtit për hapjen e urës, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe të NATO-s, që i kishin shkuar edhe në zyrë.
Kurti ua kishte paraqitur atëherë atyre një plan për hapjen e urës duke u thënë në zyrën e tij në Qeveri se ajo “duhet të hapet”.
“Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, kishte deklaruar ai në një intervistë për Zërin e Amerikës në fillim të gushtit 2024.
Kur Kurti kishte urdhëruar disa inspektime dhe vizita te ura në atë kohë, misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) kishte paralajmëruar se nuk do të hezitonte që ta trajtonte secilin zhvillim që mund të kishte ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Ditë më pas, ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier fliste për një rrezik real nëse ura do të hapej në atë kohë – një rrezik që, siç paralajmëronte, mund të ndikonte në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Qeveria e Kosovës dukej sikur s’po i merrte parasysh shqetësimet e Perëndimit dhe NATO-s, me Kurtin që insistonte se hapja e urës atëherë “nuk është kundër askujt”.
Hovenier thoshte se SHBA-ja po sfidohej në disa aspekte nga Kurti dhe qeveria e tij.
“Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve”, thoshte ambasadori i atëhershëm amerikan, por shtonte se Qeveria e Kosovës nuk duhej të insistonte “me këtë çështje tash për tash”.
Rreziku, thoshte Hovenier, ishte “i njëmendtë” nëse ura do të hapej. Shtonte se kjo kërcënonte të sillte “dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s”.
“Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”, thoshte ambasadori i atëhershëm i SHBA-së.
I pyetur se çfarë do të bënte SHBA-ja nëse Kurti s’do të dëgjonte, Hovenier shprehej kështu: “Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.
Pas këtyre deklaratave të Hovenier, Kurti pati thënë se do t’i vazhdonte konsultimet dhe koordinimin me partnerët dhe se “hapja e urës nuk është kundër askujt, veçanërisht kundër partnerëve ndërkombëtarë”.
Ndihmëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, kishte ardhur në Kosovë më 20 gusht të vitit 2024 dhe kishte bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat thoshte se mund të ndikonin në rritjen e tensioneve.
Pas një takimi me presidenten e atëhershme, Vjosa Osmani, Ruge pati thënë se “është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, që Kosova t’i dëgjonte partnerët.
Në fund të gushtit të vitit 2024, një vizitë në Prishtinë e shefit të atëhershëm të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, e hoqi nga tema kryesore e asaj kohe çështjen e hapjes së urës.
Pas një takimi rreth një orësh që ai e kishte zhvilluar me Kurtin mëngjesin e 23 gushtit 2024, kryeministri në detyrë i Kosovës nuk insistonte më si më parë.
Vizita e shefit të CIA pasonte deklaratat e ambasadorit të atëhershëm amerikan se SHBA-ja po sfidohej në disa aspekte nga Kurti.
Në verën e vitit të kaluar – një vit pas insistimit të tij të madh për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër – Kurti pati shkuar në Mitrovicë për të vënë gurthemelin për fillimin e ndërtimit të dy urave krah asaj kryesores.
Kur ishte pyetur aty për hapjen e urës kryesore, Kurti kishte thënë se, “se kur do të hapet ura varet nga karabinierët italianë”.
“Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd”, pati deklaruar ai.















































