Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, si dhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph.
“Në kuadër të takimeve të rregullta me përfaqësues të shteteve aleate, partnere dhe mike të Republikës së Kosovës, dje prita në Zyrën e Kryeminsitrit të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, si dhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph. Nga të tre pranova urime për Qeverinë dhe mandatin e ri”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se krahas bisedave për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësive të avancimit të mëtejmë, është diskutuar edhe për temat aktuale.
“Krahas bisedave për marrëdhëniet e mira dypalëshe me secilin prej vendeve që përfaqësojnë dhe mundësive të avancimit të mëtejmë, sikurse për përparimin demokratik, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës, diskutuam edhe për temat aktuale, me theks nevojën për stabilitet institucional, posaçërisht në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit”, ka shkruar Kurti.
“Republika e Kosovës është gjithmonë falënderuese dhe përherë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë”, ka shkruar ai. https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbini2017%2Fposts%2Fpfbid02fwSLgN6kwkes5eXq2CZSdfPpYfrrbLBZ2F9QdWFBEmZKNJpRCymmUYnkkETAhr7sl&show_text=true&width=500















































