Me dhënien e opinionit nga Qeveria për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi tash mund ta vazhdojë procedurën e shqyrtimit të tij. Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga KDI, koha e mbetur deri më 6 tetor e bën shumë të vështirë përmbylljen e procedurës para këtij afati.
Cakolli ka renditur afatet dhe procedurat që, sipas tij, duhet të ndiqen nga Kuvendi. Ai thotë se, pasi materialet e plota të projektligjit u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë atë në parim, ndërsa më pas projektligji duhet të kalojë në seancë plenare. Për shqyrtim të përshpejtuar kërkohet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, ndërsa shmangia nga afatet procedurale mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm.
Sipas Cakollit, edhe në procedurë të përshpejtuar duhet të respektohen afate minimale: së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri në shqyrtimin e parë dhe 72 orë nga miratimi në parim deri në shqyrtimin e dytë. Në këtë skenar, shqyrtimi i parë në seancë do të mund të bëhej më së herëti më 5 tetor, ndërsa shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar jo më herët se 8 tetori.
Cakolli rikujton gjithashtu se, pas miratimit, ligji duhet t’i dërgohet Presidentit për shpallje dhe se hyrja në fuqi kërkon përmbushjen e afateve të tjera ligjore. Ai thekson se edhe nëse miratohen afate më të shkurtra, ligji gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë ndryshe.
Sipas tij, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Në një rast të tillë, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Feucakolli%2Fposts%2Fpfbid0G5rbPzGAs6vxs4crfv4uKMXDtXRz7C9mvjNwSVeQTz6V5VnQ84RsjmxuWXJh5GMGl&show_text=true&width=500















































