LDK dhe PDK kundërshtojnë planin evropian, AAK e mbështetë

0
147

Në Ohër nga çasti në çast pritet të nisë takimi në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq. Në cilësine e vëzhguesit, pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

E marrëveshja evropiane, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, po kundërshtohet nga dy partitë opozitare më të mëdha në vend, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ndryshe nga LDK e PDK, marrëveshjen po e mbështesin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas tyre, ky kundërshtim është i karakterit të politikave ditore, e në njëfarë forme edhe revansh ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e cila më herët i ka penguar qeveritë e tyre në procesin e dialogut.

Profesori i çështjeve politike, Dritëro Arifi, tha se partitë politike në vend duhet të kenë një qëndrim unanim për politikën e jashtme, e në këtë rast edhe për çështjen e dialogut, përkundër faktit se demokracia është “shumëngjyrëshe”.

Ai konsideron se problemi kryesor nuk është te kundërshtimi i opozitës, por te Qeveria, për mos-transparencë si dhe për degradimin e marrëveshjes në “çështje teknike”

“Jo vetëm për këtë marrëveshje, por për çdo marrëveshje që ka të bëjë me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, në këtë rast dialogun Kosovë-Serbi, do të duhej unanimisht një qëndrim politik i përbashkët. Prapë se prapë demokracia është shumëngjyrëshe edhe lejohen disa qarje të vogla”.

“Problemin nuk e shoh tek opozita, sa e shoh tek Qeveria e Kosovës e cila nuk ka qenë shumë transparente në disa pika dhe tash ka mbetur që marrëveshja të diskutohet për çështjet teknike. Pra, ende nuk kemi një finalizim të marrëveshjes në aspektin ligjor, pra të nënshkrimit, edhe të planit edhe të aneksit. Opozita duke e ditur këtë vakum, mandej edhe bëjnë kinse janë kundër, por në parim opozita nuk do ta kundërshtojë nëse një marrëveshje e tillë vjen në Kuvend”, tha ai për EO.

Sa i përket pranimit të marrëveshjes nga AAK-ja, Arifi u shpreh se kjo parti po mundohet “t’i lajë gjynahet që i ka bërë më herët” duke iu referuar çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse flasim në zhargonin popullor, themi se AAK-ja po mundohet t’i lajë gjynahet që i ka bërë më herët, në sensin e vonimit të ligjit për Demarkacionit. Në një formë AAK-ja e ka kuptuar që politika botërore nuk i pyet shtetet e vogla, në këtë rast superfuqitë nuk diskutojnë. Kemi thënë se plani evropian nuk është diskutuar, vetëm është lënë në tavolinë dhe është pranuar nga të dyja palët. Pikërisht AAK-ja e ka kuptuar që fuqitë e mëdha nuk negociojnë por imponojnë vendime politike të balancuara për të dyja palët”, tha ai.

Leave a Reply