Kurti takon Billingun e Abbottin, i njofton me vizionin e tij për Asociacionin bazuar në modelin kroat

0
110

Kryeministri Albin Kurti të mërkurën ka takuar drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe nga ish-ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Denis Keefe.

Sipas një njoftimit për media të kryeministrisë të lëshuar të enjten, në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet në rajon dhe marrëdhëniet me Serbinë, siç thuhet, me theks te zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur me 27 shkurt në Bruksel.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Billingun për takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, edhe për vizionin e propozuar në atë takim, sipas modelit kroat, përkitazi me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike. Ai theksoi se Marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, dhe se Republika e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar palë e përgjegjshme, konstruktive dhe kreative”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit takimi ka filluar me urimin e kryeministrit Kurti për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla, fundjavën që lamë pas. “Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë Billingut, të cilën e njoftoi për zhvillimet në vend, me theks te progresi ekonomik dhe demokratike në dy vitet e fundit, dhe për bashkëpunimin e afërt me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, si rezultat i raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti.

Leave a Reply