Kurti: Shitësit që manipuluan me çmime do të ndëshkohen

0
234

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në diskutimin për rritjen e çmimeve në Kuvendin e Kosovës ka thënë se të gjithë ata shitës që manipuluan me çmime në kurriz të qytetarëve duhet të ndërshkohen, e do të ndëshkohen.

Për rritjen e çmimit të vajit, Kurti ka thënë se është zhvatje.

“Përderisa nga e njëjta sasi e importuar fillimisht është shitur 1.50 euro për litër, rritja e tillë artificiale është zhvatje që nuk bën të lejohet. Të gjithë ata shitës që manipuluan me çmime në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen e do të ndëshkohen”, ka deklaruar Kurti.

“Ne e kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manupulojnë. Siç u dëshmua pak ditë më parë, ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës madje fitimin e duan si superprofit”, shtoi ai.

Ai tha se rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari dhe se Qeveria është duke punuar në mbështetje të tyre.

“Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari. Ne si Qeveri jemi duke punuar në vazhdimsi që nga fillimi i mandatit qeverisës që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cënueshëm”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve pasi që është kryesisht ekonomi importuese.

“Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes se çmimeve sepse duke qenë ekonomi kryesisht importuese, luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve edhe koston e atij që na sjell mallin”, ka shpjeguar ai.

Kryeministri ju bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve dhe të njëjtit t’i raportojnë në departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pa ndërgjegjshëm. Për çdo mashtrim të mundshëm njoftoni departamentin për mbrojtjen e konsumatorit në Ministrinë Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të ndërmerren masa sipas ligjit”, tha Kurti.

Leave a Reply