Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga institucionet ka qenë akt politik e individual i tyre dhe se kthimi i tyre tani është çështje ligji i cili s’e lejon një gjë të tillë.
Kurti ka theksuar se më 2022, kur patën dhënë dorëheqje, akterëve serbë u ishte thënë të mos e bënin atë veprim dhe aktualisht, deklaroi ai, nuk kanë të drejtë ligjore e kushtetuese që t’u thuhet atyre të kthehen.
“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘mos i braktisni ato’, ‘mos jepni dorëheqje’, por nuk i kemi thënë e as nuk kemi të drejtë t’u themi ‘kthehuni’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore të ju themi kthehuni”, u shpreh ai.
Kurti largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë e ka quajtur akt sabotimi të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë këto dorëheqje i ka trajtuar ditë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial, ndërsa sot teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë të kuorumit, presim që në mbledhjen radhës të marrë epilog të atillë edhe kjo çështje”, përfundoi Kurti.















































