Kurti për veteranët: S’merret pagë për diçka që është bërë para 23 vjetësh

0
312

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media sot tha se fjala veteran dhe fjala pagë nuk mund të jenë në të njëjtën fjali.

Sipas Kurtit, paga merret për diçka që po e bën aktualisht dhe jo për diçka që është bërë para 23 vjetësh.

Më tej kryeministri Kurti tha që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale.

Sipas Kurtit, oferta e Qeverisë e cila po përgatitet së bashku me Ministrinë e Financave, për veteranët, do të jetë e gatshme javën e ardhshme.

“Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, tha Kurti në konferencë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për pagën minimale.

Më 16 qershor, veteranët kanë protestuar disa orë para Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë duke kërkuar që të përfshihen në Ligjin për pagën minimale.

Dje, më 17 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte anuluar udhëtimin në Maqedoninë e Veriut, për pjesëmarrjen në Forumin e Prespës për të pritur udhëheqësit në një takim në qeveri.

Takimi që nisi në orën 09:00 në mëngjes zgjati për gati 3 orë, por në fund nuk pati ndonjë dakordim në lidhje me kërkesat e veteranëve. Faton Klinaku nga OVL UÇK paralajmëroi përsëri protesta ndërsa Kurti tha që do të dërgojnë propozimin te veteranët./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here