Kurti: Ibrahim Rugova kishte udhëhequr Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore

0
77

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në përurimin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, në qytetin e Podujevës, me rastin e 34 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut.

Kurti ka shkruar se derisa Anton Çetta i kishte prirë pajtimit të gjaqeve dhe Adem Demaçi ishte kthyer tek populli pas 28 vitesh burg, Ibrahim Rugova kishte udhëhequr Alternativë për pavarësi me një rezistencë paqësore.

Tutje, ai ka shkruar se me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.

Postimi i plotë:

Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, sot me 7 shtator, në Podujevë u zbulua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002).

Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistencë paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj. E në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së.

Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.

Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here